Aplikacion
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), një nga institucionet më të rëndësishme për teknologjinë dhe qeverisjen dixhitale në Shqipëri, po del gjithnjë e më shumë në dukje në një hetim të thelluar të SPAK për një sërë tenderash që kanë përfituar kompanitë “Soft & Solution” dhe “EA Solution”.
Në qendër të hetimeve ndodhet biznesmeni Ermal Beqiri, një nga emrat më të zëshëm në tregun e teknologjisë, i njohur për lidhjet e tij të hershme me institucione publike dhe për përfitimin e një numri të lartë kontratash shtetërore, veçanërisht nga AKSHI i drejtuar prej vitesh nga Mirlinda Karçanaj.
Burime konfidenciale të Zoom.al konfirmojnë se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në kuadër të një hetimi që synon të verifikojë nëse kontratat publike janë fituar në mënyrë të ligjshme apo përmes procedurave të manipuluara.
Beqiri nuk është i vetëm në këtë histori. Ai rezulton të ketë lidhje të ngushta biznesi dhe miqësore me një tjetër emër të njohur që operon edhe në sektorin e IT-së, Ergys Agasi, pronar i kompanisë “EA Solution”. Edhe kjo kompani është përfituese e një sërë kontratash shtetërore të majme, ndërkohë që të dyja kompanitë janë përmendur në mënyrë të përsëritur në denoncimet e disa mediave online, lidhur me disa tendera, të cilët, për nga natyra dhe mënyra e përtifuar, ngjallin dyshime të forta për paracaktim dhe favorizim të tyre në garë.
Sipas të dhënave nga portali i prokurimeve publike, “Soft & Solution” dhe “EA Solution” janë shpallur fituese në mënyrë të përsëritur nga institucione të ndryshme shtetërore, duke përfshirë edhe tendera të njëpasnjëshëm nga i njëjti institucion, brenda një afati të shkurtër kohor. Kjo ka ngritur dyshime për një rotacion të kontrolluar të tenderave mes dy kompanive.
Ky është grafiku i përgatitur nga Zoom.al që tregon rritjen e ndjeshme të tenderave të fituar nga kompanitë Soft & Solution dhe EA Solution nga viti 2019 deri më 2024.

Burime të besueshme i thanë Zoom.al se hetimi i nisur nga SPAK ka për qëllim të identifikojë nëse tenderat janë dhënë nëpërmjet presionit politik, paracaktimit të fituesve apo nëpërmjet pagesave të dyshimta korruptive. Sipas tyre nuk përjashtohet zgjerimi i hetimeve edhe ndaj drejtuesve aktualë të AKSHI-t dhe institucioneve të tjera që kanë nënshkruar kontrata me këto kompani.
AKSHI, nën drejtimin e Karçanajt, ka qenë shpesh në qendër të akuzave publike për tendera të dyshimtë. Megjithatë, kjo është hera e parë që emri i institucionit përmendet në një hetim konkret të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. /Zoom.al