Aplikacion
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga SPAK dhe vendosjes së masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme ndaj disa zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se hetimet nuk kufizohen vetëm në raste të izoluara korrupsioni, por sipas tij, zbulojnë një skemë më të gjerë, e cila përfshin edhe lidhje familjare me kryeministrin Edi Rama. Ai thekson se këto dyshime janë ngritur prej kohësh nga opozita dhe nga media investigative.
Këtë të martë, SPAK lëshoi masa sigurie ndaj 8 personave në kuadër të një hetimi mbi disa tenderë të lidhura me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, të cilët i akuzon për vepra penale të kryera si grup i strukturuar kriminal.
Me urdhër të dy prokurorëve të SPAK, drejtuesit në largim, Altin Dumani dhe Bledar Maksutit, vulosur edhe nga gjyqtarja Fjorela Davishi, u caktua masë arresti në burg për 2 biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, të dyshuarit, kanë përcaktuar kritere jo sipas ligjit për të favorizuar në tender, disa kompani, kundrejt të tjerave.
Reagimi i Këlliçit:
SPAK mbërriti edhe në “kopshtin privat” të Ramës, AKSHI me akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
E kemi denoncuar me emra, me skema, me fakte prej kohësh, madje e “pluguar” mirë qysh 10 muaj më parë nga gazetarë kurajozë. Fijet të çonin deri tek baxhanaku i kryeministrit. E patëm thënë se në këtë rast problemi nuk është thjesht korrupsioni i zakonshëm, por arkitektura e thellë e pushtetit kriminal të Edi Ramës.
Por zemra e strukturës rreh ende e qetë, me gjithë zbarkimin e SPAK në trupin e kalbur të AKSHI-t. Fakti se drejtësia mbërriti tek lidhjet familjare të kokës së (anti)sistemit, e bën edhe më të rëndësishëm këtë hap. Jo si fund, por si fillim i domosdoshëm.
Drejtësia nuk mund të mjaftohet me kurbanë “teknikë”, se mbetemi ende tek administrimi i dëmit. Duhet guximi për të ndalur një herë e mirë “gjeneratorin” e narkoshtetit shqiptar.
Nëse ndalet tek zhurma e skajeve, ky “central” kriminal do të riciklojë krimin me emra të rinj.
Krimi dhe korrupsioni qeveritar sot ka vetëm një arkitekt: ai quhet Edi Rama!/ Zoom.al