Aplikacion
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 3 urdhër arreste në kuadër të hetimeve për 12 procedura tenderuese të AKSH-shit.
Mësohet se ndaj Ergys Agasit dhe biznesmenit Ermal Beqiri janë caktuar masat “arrest me burg”, ndërsa ndaj drejtoreshës së AKSH-it, Mirlinda Karçanaj “arrest shtëpie”.
Ndërkohë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ndërmarrë një operacion në zonën e Kodrës së Diellit, në Tiranë.
Aktualisht, detajet mbi natyrën dhe objektivin e operacionit mbeten konfidenciale dhe nuk janë bërë publike informacione zyrtare nga autoritetet.
Në orët në vijim pritet të ketë zhvillime dhe të dhëna të reja lidhur me këtë operacion të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
AKSHI, tendera Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), një nga institucionet më të rëndësishme për teknologjinë dhe qeverisjen dixhitale në Shqipëri, ka qenë në një hetim të thelluar të SPAK për një sërë tenderash që kanë përfituar kompanitë “Soft & Solution” dhe “EA Solution”.
Në qendër të hetimeve ishte biznesmeni Ermal Beqiri, një nga emrat më të zëshëm në tregun e teknologjisë, i njohur për lidhjet e tij të hershme me institucione publike dhe për përfitimin e një numri të lartë kontratash shtetërore, veçanërisht nga AKSHI i drejtuar prej vitesh nga Mirlinda Karçanaj.
Burime konfidenciale të Zoom.al konfirmuan më heret se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në kuadër të hetimit për të verifikuar nëse kontratat publike janë fituar në mënyrë të ligjshme apo përmes procedurave të manipuluara.
Beqiri nuk është i vetëm në këtë histori. Ai rezulton të ketë lidhje të ngushta biznesi dhe miqësore me një tjetër emër të njohur që operon edhe në sektorin e IT-së, Ergys Agasi, pronar i kompanisë “EA Solution”. Edhe kjo kompani është përfituese e një sërë kontratash shtetërore të majme, ndërkohë që të dyja kompanitë janë përmendur në mënyrë të përsëritur në denoncimet e disa mediave online, lidhur me disa tendera, të cilët, për nga natyra dhe mënyra e përtifuar, ngjallin dyshime të forta për paracaktim dhe favorizim të tyre në garë.
Sipas të dhënave nga portali i prokurimeve publike, “Soft & Solution” dhe “EA Solution” janë shpallur fituese në mënyrë të përsëritur nga institucione të ndryshme shtetërore, duke përfshirë edhe tendera të njëpasnjëshëm nga i njëjti institucion, brenda një afati të shkurtër kohor. Kjo ka ngritur dyshime për një rotacion të kontrolluar të tenderave mes dy kompanive.
Ky është grafiku i përgatitur nga Zoom.al që tregon rritjen e ndjeshme të tenderave të fituar nga kompanitë Soft & Solution dhe EA Solution nga viti 2019 deri më 2024.

Burime të besueshme informuan më heret Zoom.al se hetimi i SPAK kishte për qëllim të identifikonte nëse tenderat janë dhënë nëpërmjet presionit politik, paracaktimit të fituesve apo nëpërmjet pagesave të dyshimta korruptive. Sipas tyre nuk përjashtohet zgjerimi i hetimeve edhe ndaj drejtuesve aktualë të AKSHI-t dhe institucioneve të tjera që kanë nënshkruar kontrata me këto kompani.
AKSHI, nën drejtimin e Karçanajt, ka qenë shpesh në qendër të akuzave publike për tendera të dyshimtë. Megjithatë, kjo është hera e parë që emri i institucionit përmendet në një hetim konkret të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari