zoom

Aktualitet

“U kërcenua nga Rama”/ Kush është Daniel Shima i zhdukur sot, u shkarkua pas dëshmisë në SPAK

“U kërcenua nga Rama”/ Kush është Daniel Shima i zhdukur sot, u shkarkua pas dëshmisë në SPAK

Zhdukja pa gjurmë e ish-zyrtarit të lartë të AKSHI-t mesditën e sotme ka ngritur dyshime dhe pikëpyetje të mëdha.

Kjo për shkak se emri i Daniel Shimës nuk është i panjohur. Në dy vitet e fundit kanë dalë disa lajme, nga shkarkimi i tij nga detyra, tek tenderat miliona euroshe të institucionit ku ka punuar për një kohë të gjatë dhe kërcënimet.

“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…” Kështu kishte deklaruar ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë nga arratia rreth një vit më parë. Ahmetaj kishte folur për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Daniel Shima ka qenë për një kohë të gjatë numri 2 i AKSHIT, deri ditën kur shefja e tij Mirlinda Karçanaj u thirr në Prokurorinë e Posaçme.

Drejtuesja e agjencisë më të rëndësishme për menaxhimin dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë dhe informacionit në institucionet shtetërore shqiptare, u mor për disa orë në pyetje më 19 Mars 2024 në ambientet e SPAK dhe menjëherë pas daljes prej atje, u kthye në zyrë dhe firmosi shkarkimin e Daniel Shimës.

Pas shkarkimit të tij nga detyra në media u raportua se Daniel Shima kishte kërkuar dhe kishte përfituar mbrojtje nga Garda e Republikës për shkak të detyrës që kishte mbajtur megjithatë nuk u bënë kurrë të ditur kërcënimet ndaj tij apo për çfarë bëhej fjalë. Zoom.al/

Postime të lidhura