Aplikacion
Daniel Shima, ish-zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, është rikthyer në banesën e tij gjatë natës, pasi familjarët kishin bërë kallëzim për zhdukjen e tij. Ata humbën kontaktet me të dhe njoftuan policinë rreth orës 17:00, në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.
Pas rikthimit, Shima ka deklaruar për policinë se “nuk kam asnjë pretendim”. Gjithashtu ka deklaruar se ishte larguar në jug pas një sherri me të dashurën, por pa dhënë shpjegim pse u dërgoi infomacion famijarëve se ishte arrestuar.
Denoncimi për zhduken e tij u bë nga nëna e Daniel Shimës, e cila deklaroi në policinë e Tiranës se kishte humbur kontaktet me të birin.
Emri i Daniel Shimës nuk është i panjohur. Në dy vitet e fundit kanë dalë disa lajme, nga shkarkimi i tij nga detyra, tek tenderat miliona euroshe të institucionit ku ka punuar për një kohë të gjatë dhe kërcënimet.
“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…” Kështu kishte deklaruar ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë nga arratia rreth një vit më parë. Ahmetaj kishte folur për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Daniel Shima ka qenë për një kohë të gjatë numri 2 i AKSHIT, deri ditën kur shefja e tij Mirlinda Karçanaj u thirr në Prokurorinë e Posaçme.
Drejtuesja e agjencisë më të rëndësishme për menaxhimin dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë dhe informacionit në institucionet shtetërore shqiptare, u mor për disa orë në pyetje më 19 Mars 2024 në ambientet e SPAK dhe menjëherë pas daljes prej atje, u kthye në zyrë dhe firmosi shkarkimin e Daniel Shimës.
Pas shkarkimit të tij nga detyra në media u raportua se Daniel Shima kishte kërkuar dhe kishte përfituar mbrojtje nga Garda e Republikës për shkak të detyrës që kishte mbajtur megjithatë nuk u bënë kurrë të ditur kërcënimet ndaj tij apo për çfarë bëhej fjalë. Zoom.al/