zoom

Lajme

Fyerje e denigrime, si u hap fushata e PD e PS. Gafat e kandidatëve

Fyerje e denigrime, si u hap fushata e PD e PS. Gafat e kandidatëve

Kur kanë kaluar 13 ditë nga hapja e fushatës elektorale nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, takimet me qytetarët dhe jo vetëm janë mbushur me retorika denigruese e fyese.

Kryeministri Edi Rama e ka fokusuar programin e tij elektoral te integrimi i vendit në Bashkimin Europian, të cilën po e përdor si kartë për të siguruar sa më shumë mbështetës.

Sipas tij, Shqipërisë i është hapur dera për t’u anëtarësuar, ndërsa thekson se këtë mund ta arrijë vetëm PS, duke premtuar se do të ndodhë mbyllja e negocitave deri në 2027.

“Shqipëria 2030 në BE” është slogani i tij për këtë fushatë, me “bindjen” se ai dhe PS do integrojnë vendin në Unionin brenda kësaj periudhe kohore, duke u dhënë shqiptarëve pasaportën e BE-së.

Por, Rama po akuzohet për show dhe mungesë programi, si edhe një fushatë tallava e pa tema.

Ndërsa Sali Berisha nga ana tjetër ka premtuar mirëqenie për shqiptarët, ku sipas tij fokusi do të jenë bizneset e vogla dhe qytetarët, duke u zotuar për rritje të ardhurash, pensionesh, të minimumit jetik, si edhe mbështetje për çiftet e reja me bonuse për bebet, si edhe kredi me zero % interes për blerjen e banesave.

Kryeministri mban në takimet elektorale kapelen me nr 5, ndërsa ka shmangur flamujt e PS-së në fushatë. Ndërsa Berisha kapele me nr.1, teksa është akuzuar për kopje të fushatës së presidentit amerikan Donald Trump.

Fushatë denigruese

Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një fushtë denigruese ndaj qytetarëve që nuk votojnë PS-së, ndërsa shënjestër e sulmit të tij në veçanti janë burrat që mbështesin PD-së, ndaj të cilëve ka përdorur termin çyrykë.

PS e mbështesin 56% e grave dhe vajzave. Ka disa qarqe me 65%, Dibra llogaritet me 40% mbështetje nga gratë dhe vajzat. Nëse ne kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave, nuk na duhen më shumë, se kjo jetë na ka mësuar këtu se gjysma e burrave janë normalë, gjysma tjetër janë çyrykë. Kjo do na bëjë që më 11 maj jo në Dibër vetëm, por në të gjithë Shqipërinë të kemi fitoren më të madhe tonën, kjo është e 10-ta dhe fal kësaj e të gjtiha grave si ju këtu, të realizohet dhe të bëhet më e madhja nga të gjitha“, deklaroi Rama gjatë një takimi me gratë në Dibër duke folur me superlativa për të, ndërsa ofendon burrat.

Deklaratave dhe komenteve të tij denigruese ndaj burrave u është përgjigjur Berisha po ashtu duke përdorur gjuhë fyese.

“Shkoi në Dibër dhe me gjuhën e një kopuku u tha se zonja gjysma juaj burrat i ka çyrykë. Unë i them Ramës, ta dish mirë, se në ligj, në kanun dhe në ligjin e sotëm qafën e buallit nuk e kishe kaluar ti pa të tredhur dibranet,”- deklaroi Berisha me tone sfiduese.

“Po ata janë burra të mençur dhe e dinë që i tredhuri nuk tridhet më,”- vazhdoi ai.

Berisha e cilësoi këtë retorikë si përçmuese dhe të papranueshme për një lider që pretendon të përfaqësojë të gjithë shqiptarët.

Gjithashtu kreu i qeverisë u ka kërkuar grave të ndahen nga burrat e tyre që mbështesin “kënetën dhe bufin”, referuar PD-së dhe Berishës.

Por, gjuha e kreut të qeverisë nuk është ndalur me kaq duke shkaktuar dhimbje tek shumë familje shqiptare teksa përdori termin “autik”, persona me aftësi të veçanta, për të ofenduar demokratët.

Kryeministri gjatë fushatës elektorale në Gjirokastër ku u shpreh “të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë… Politikisht je autik, nuk je mirë”, shkaktoi zemëratë tek njerëzit pasi përdori termin e personave me aftësi të veçanta për të ofenduar demokratët.

Deklarata në fjalë u shoqërua me reagime të Partisë Demokratike dhe disa shoqatave, si dhe vetë qytetarëve.

I zënë ngushtë nga situata që vetë krijoi, kryeministri u detyrua që në orët e vona të së martës, të postojë një video ku kërkonte ndjesë. Megjithatë, ndonëse tërhiqet nga termi që përdori, Rama nuk nguroi të fyente ata që në fakt duket se e detyruan të kërkonte ndjesë.

“Është vonë, por nuk mund të mos e ndaja dot këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore, por të mos kërkosh ndjesë kur gabon nuk është burrërore. Krejt pa dashje sot kam cenuar fëmijët autik dhe me siguri kam lënduar prindër të tyre duke folur për autizëm politikë, shprehje që diku më ka mbetur në mendje sepse është përdorur shpesh edhe në literaturë politike e akademike e më doli sot krejt pa dashje. Ja që u desh të gaboja e pastaj të mësojë që prej vitesh konsiderohet e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë. Prandaj kërkoj ndjesë dhe u garantoj se kam jo respekt, por admirim për ta dhe të gjithë prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta ose speciale, çka dhe më ka shtyrë të nxis dyfishimin e mbështetjes nga qeveria.

Më tej vijoi:

Ndërsa lehaqenieve që i kam nga pas dhe që u kapën pas fëmijëve autik si i mbyturi pas fijes së barit për të fituar ndonjë pikë në sytë atyre prindërve të nderuar, kjo do të jetë një motiv më shumë që ta shpenzoj çdo energji timen deri në 11 maj që t’u japim mësimin e merituar për të gjithë ato prapësi të tyre të panumërta në kurriz të këtij vendi dhe këtij populli,”- a thua se përgjegjës për ato çfarë thotë dhe bën nuk është vetë ai, por të tjerët.

Partitë e vogla

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi, së bashku me kandidatët për deputetë në qarkun Shkodër zhvilluan një takim elektoral ku ai deklaroi se në zgjedhjet e 11 majit përveçse të sigurojnë grup parlamentar deputetësh, synojnë të jenë edhe forca politike që do vendosë qeverinë e ardhshme.

Gjithashtu shprehu pakënaqësi ndaj socialistëve të Edi Ramës dhe kritikoi caktimin e Benet Becit si drejtues fushate pavarësisht problemeve me drejtësinë, duke bërë që aleanca e pashpallur PS-PSD bëhet aleancë e kushtëzuar.

“Kryetari i Bashkisë Shkodër që drejton fushatën e PS-së, është i pandehur. Si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët,” deklaroi Doshi.

Duke shtuar: “…pa Partinë Social-Demokrate nuk ka mazhorancë në Shqipëri“.

Ndërkohë mes partive të vogla opozitare ka edhe përçarje mes tyre. Drejtuesi i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka paditur për shpifje në SPAK kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehajn.

Lapaj gjatë një fjale për media ka sqarkuar se Agron Shehaj duhet të shkojë në Gjykatën e Posaçme dhe të provojë se ai ka marrë para nga krimi, teksa i ka përfaqësuar si avokat.

Ai tha gjithashtu se Agron Shehaj e ka kërkuar këtë konflikt me këmbëngulje, pasi sipas Lapajt, ai nuk ka pasur interes të merrej me drejtuesit e partive të reja.

Ndërsa Arind Qori pothuajse është inekzistent në këtë fushatë elektorale, ndërsa reagimet e tyre për çështje madhore janë zero, duke preferuar të heshtin.

Aktualisht janë 11 parti në garën zgjedhore nga të cilat, përveç dy të mëdhave, gjashtë mund të konsiderohen si pretendente për të hyrë në parlamentin e ardhshëm. Njëra, Partia Socialdemokrate e politikanit të sanksionuar nga administrata Biden, Tom Doshi është sakaq në parlament dhe konsiderohet si në aleancë të pashpallur me Edi Ramën.

Nga pesë të tjerat, tre janë grupe të ndara nga Partia Demokratike dhe dy janë forca politike të cilat, nëse ia dalin, do të hyjnë për herë të parë në parlament. Disa nga këto parti në fakt nuk janë më aq të reja dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e shkuara si dhe eksperienca e fituar sugjeron se fitimi i mandateve të deputetëve nuk është i pamundur. Dhe nëse shohim rezultatin e ngushtë që prodhon zbatimi i formulës D-Hondt, në gjeografinë politike të Shqipërisë, disa mandate të fituara nga këto parti të vogla mundet të kthejnë secilën prej tyre në një kingmaker, një forcë përcaktuese për qeverisjen e vendit, siç ishte LSI në periudhën 2009-2017.

Partitë e vogla kanë më shumë shanse të fitojnë mandate në Tiranë. Kjo gjithsesi nuk është e garantuar sepse, nëse të pesta partitë fitojnë, fjala vjen, dhjetë mijë vota secila, të 50 mijë votat e tyre të fituara bashkërisht prodhojnë zero mandate deputetësh. Ky është skenari më pesimist për to. Në një skenar optimist, nëse ato secila merr nga 12 mijë deri në 17 mijë vota, atëherë marrin të gjitha nga një  mandat dhe bashkërisht bëhen me gjasa përcaktuese për maxhorancën e ardhshme qeverisëse. Partitë e vogla pretendente janë renditur sipas shortit që i ra në KQZ për pozicionin në fletën e votimit.

Gafat e kandidatëve

Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen publike, kandidatët për deputetë po bien pre e gafave të pafalshme me spote me të sëmurë e deri në shpërblime financiare në atë që njihet në gjuhën e rrjeteve sociale si giveaway.

Edona Bilali, kandidatja e PS publikoi në Facebook videon e saj të fushatës me një gjysh të shtruar në spital (aktorin Besnik Çinari) dhe nipin e shqetësuar, të cilët morën garancinë e doktorit për të jetuar deri në 11 maj për ti dhënë votën shkodranes, video që u fshi pas një ore për shkak të kritikave në rrjetet sociale. Në rrjet ka pasur akuza se ajo përdor vdekjen për efekt elektoral.

Gjithashtu kandidatja demokrate, Adriana Kalaja ofroi para publikisht për mbështetësit e saj në këmbim të votës, nga 200 deri në 1000 euro.

Adriana Kalaja, e cila me zë dhe figurë, ofroi para në këmbim të votës, nuk ka vëne në lëvizje asnjë institucion. Veprimi i saj konsiderohet vepër penale dhe dënohet nga 6 muaj deri në 2 vjet burg.

Ndërkohë, kreu i PD, Sali Berisha ka justifikuar kandidaten e tij për deputete, e cila ofroi 1 mijë, 500 dhe 200 euro për ata që do ta mbështesin më 11 maj.

“Statusin ajo e ka hequr, ajo ka pasur fjalën për anëtarë të stafit të saj. Siç e kam kuptuar unë. Cili nga anëtarët e stafit do punojë më shumë, do ketë këtë shpërblim, por ai status është hequr, sepse kanë menduar se ka krijuar një keqkuptim,”- tha Berisha. /Zoom.al
 

Postime të lidhura