Aplikacion
Në një takim elektoral me gratë, kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i kopjon programin.
Sipas tij, premtimi për të mos pasur pension më të ulët se 200 euro u bë nga socialistët pasi demokratët kishin kërkuar minimum jetik 200 euro.
Berisha komentoi edhe gjuhën e përdorur nga Edi Rama gjatë fushatës elektorale, duke e krahasuar me një nga emrat më të njohur të botës së krimit, Nuredin Dumanin.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës
Ne kemi program serioz. Shikoni çfarë ndodh në anën tjetër?
Ai fillimisht del para shqiptarëve sikur ka zbritur nga Marsi, sikur nuk ka qeverisur 12 vite, sikur nuk e di se ku është, nuk flet as për 12 vitet, as për 4 vitet që vijnë dhe paraqet një narrativë në të cilën kërkon të ngjasojë me një Big Brother apo diçka të tillë, duke presupozuar se njerëzit nuk kanë asnjë problem, asnjë hall.
Flet me gjuhë të forti si Nuredin Dumani në sallë të gjyqit.
Pastaj kujtohet se shkeli çdo normë e standard, dhe të nesërmen vazhdon me të njëjtat terma
Se as aktualisht, as në të ardhmen ata nuk ekzistojnë.
Me vulgaritetin e tij, me banalitetin e tij, ai kërkon të spostojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike me të cilat ata përballen tek mashtrimet që ai kërkon të bëjë me tallavanë e tij.
Pastaj kthehet dhe kopjon programin.
Ju e patë, një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para pikërisht për këtë, për minimumin jetik 200 euro.
Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030.
Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave.
Ju e dini që ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë.
Duam t’i çlirojmë qytetarët shqiptarë nga makthet e padrejtësive që ata kanë përjetuar ndër vite.
Çfarë ndodh? Ne kemi falur kamatat, këta i kanë rikthyer kamatat. Nuk kanë ligj as moral.
Këta sot e kësaj dite i mbledhin dhe dëgjoja një ditë një qytetar që thoshte se më duhen 80 vite punë për të paguar kamatat që kam për energjinë.
Kështu që ne, jo vetëm qytetarëve, por ne do falim edhe gjobat e biznesit të vogël. Se edhe ai është viktimë e arbitraritetit dhe absurditetit të inspektorëve të qeverisë.
Jemi shumë të vendosur që të falim çdo gjobë, ai kërkonte amnisti për grupet kriminale, ne do bëjmë amnisti për qytetarët dhe bizneset e ndershme.