zoom

Lajme

Berisha premton arsimim pa lekë: Do heqim tarifën për studentët

Berisha premton arsimim pa lekë: Do heqim tarifën për studentët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha premton arsimim falas për studentët, nëse opozita fiton zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë një takimi elektoral në Sarandë, ai tha se studentët nuk do të paguajnë tarifa për universitetin.

Berisha shtoi se bursat për ta do jenë 200 euro dhe se do të garantohet punësimi i çdo të riu.

“Saranda a mund të jetë madhështore pa rininë e vet? Një vend pa rini është një vend pa ëndërr, një shkretëtirë njerëzore. Nëse ka një vend që humb rininë në mënyrën më të pamëshirshme, është Shqipëria e këtyre 12 viteve. A e dini ju se OKB njoftoi se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë, për shkak të largimit të të rinjve. A nuk janë këto klithma që dalin nga shpirti i kombit, nga thellësia e dheut e këtij vendi, që ne të bëjmë të pamundur, që të rinjtë tanë të ndërtojnë në Shqipëri ëndrrën e tyre?

Do bëjmë gjithçka që çdo i ri të shkollohet. Hiqet mesatarja, s’ka më mesatare. S’ka më tarifa, simbolike do jetë, ose do hiqet fare.

Bursa 200 euro do jetë. Punësimi i çdo të riu, çdo sipërmarrësit do i paguhet siguracionet për 1 vit. Çdo i ri që martohet e do ndërtojë familjen e tij në Shqipëri do ketë një grant prej 30 mijë eurosh. Fëmija e tretë do paguhet nga shteti deri në 23 vjeç. Fëmija i parë do ketë një bonus 70 euro, fëmija i dytë do ketë një bonus 60 euro. Do bëjmë gjthcka që të rinjtë në vetëm 10 vitet e fundit, janë larguar 700 mijë, të kthehen prap në Shqipëri. Do financojmë bizneset e tyre, 5 vite do jenë pa taksa. Një komb pa rini, është një komb pa të ardhme”, tha Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura