Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë pasdite një miting elektoral në Shijak, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Në prani të dhjetëra mbështetësve, Berisha akuzoi qeverinë se ka shkatërruar bujqësinë shqiptare duke lejuar, sipas tij, importin masiv të produkteve nga jashtë.
Sipas tij, politika e Edi Ramës ka lënë fermerin shqiptar të pambrojtur, në konkurrencë të padrejtë me prodhues të huaj që marrin deri në 8 herë më shumë ndihmë nga shteti i tyre. “Kjo është një garë e pabarabartë që ka çuar në faliment të mijëra fermave nga Shijaku deri në Lushnje e Fier,” deklaroi Berisha.
Duke iu drejtuar fermerëve të zonës, ai u zotua se me ardhjen në pushtet, subvencionet për prodhimin bujqësor do të pesëfishohen, duke përfshirë çdo fidan, çdo kokë bagëti dhe çdo njësi prodhimi. Gjithashtu, premtoi se do të eliminohen pensionet e pjesshme dhe asnjë pensionist në zonat rurale nuk do të marrë më pak se 200 euro në muaj.
“Ballkani i Hapur do të përfundojë në kosh. Do të rikthejmë tregun për fermerin shqiptar, që sot është bërë viktimë e një tregtie të padrejtë dhe të korruptuar,” u shpreh lideri demokrat.
Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi edhe një reformë të thellë fiskale, ku taksat për bizneset e vogla do të kufizohen në maksimum 1% të xhiros, ndërsa TVSH-ja do të ulet në 15%. Çmimi i energjisë elektrike për familjarët do të përgjysmohet, dhe ai për bizneset do të zbresë në vetëm 6 lekë/kWh. Nafta, sipas tij, do të shitet me të njëjtin çmim si në Kosovë dhe Maqedoni, duke ulur ndjeshëm barrën fiskale që rëndon mbi qytetarët.