zoom

Lajme

Bardhi në Fier: Belinda Balluku emblemë e arrogancës së qeverisë

Bardhi në Fier: Belinda Balluku emblemë e arrogancës së qeverisë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim elektoral në Fier, ku ka akuzuar drejtpërdrejt zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe drejtues të tjerë lokalë të Partisë Socialiste për, siç u shpreh ai, “shndërrimin e institucioneve në vegla presioni dhe vjedhjeje.”

Në fjalimin e tij, Bardhi prezantoi kandidatët e PD-së për qarkun e Fierit, duke theksuar se “sfida e 11 majit nuk është vetëm politike, por morale dhe qytetare.” Ai e cilësoi Ballukun si “emblemë të arrogancës së qeverisë” dhe “garanci për vazhdimin e abuzimit me taksat e shqiptarëve.”

“Belinda Balluku nuk përfaqëson as zhvillimin dhe as Europën. Ajo përfaqëson tenderat fiktivë, kontratat korruptive dhe përdorimin e pushtetit për interesa personale. Ajo nuk është zëvendëskryeministre, por menaxhere e një skeme mashtrimi,” deklaroi Bardhi, duke iu referuar hetimeve që, sipas tij, janë duke u zhvilluar nga SPAK për disa projekte të mëdha infrastrukturore.

Ai përmendi shpenzime të dyshimta në institucione, përfshirë tendera me vlera të fryra për shërbime si pastrimi apo konsulencat, si dhe projektet e mëdha si tuneli i Llogarasë, të cilat i cilësoi si “gropa të zeza të financave publike.”

“Çfarë evropianizimi pret nga një qeveri që për çdo kilometër rrugë lë pas miliona euro të zhdukura? Ky është një model i kalbur që nuk sjell të ardhmen, por mban peng të tashmen,” theksoi ai.

Në përmbyllje të takimit, Bardhi u bëri thirrje qytetarëve të Fierit që më 11 maj të votojnë për ndryshimin, “për një Shqipëri që respekton qytetarin, jo që e kërcënon atë,” duke theksuar se “shpresa nuk është tek ata që kanë ndërtuar sistemin e frikës, por tek qytetarët që kanë forcën ta shembin atë me votë.”

Postime të lidhura