Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas lajmit se SPAK ka nisur hetimet për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është përgjegjëse për çështje shumë më të mëdha sesa kryebashkiaku Erion Veliaj, duke theksuar se ajo ka menaxhuar mbi 12 miliardë euro, krahasuar me 5 miliardë që, sipas tij, ka administruar Veliaj.
Berisha shprehu skepticizëm për hetimin, duke krahasuar situatën me aferën e inceneratorëve. Sipas tij, edhe pse inceneratori i Tiranës nuk ekziston, askush nga Ministria e Infrastrukturës nuk është vendosur përpara drejtësisë. Ai akuzoi institucionet hetimore për mungesë vullneti, duke pretenduar se, nëse dikush do të përballej me drejtësinë, do të ishte paguar për të heshtur ose për të mbrojtur zyrtarët më të lartë.
“Në asnjë mënyrë, Skapi nuk i merrte dot këta. Se po të merrte këta, këta ose do bëheshin të burgosur me para, pra të paguar, do u paguante Belinda kaq milionë e kaq milionë, ose do tregonin se nuk na ka lejuar Belinda për të bërë mbikëqyrjen, dhe se paratë janë dhënë, për arsye se i ka marrë Belinda minimumi të themi… Unë them nuk i ka marrë Belinda, paratë i ka marrë Rama. Por Belinda, dorën në zjarr nuk e vë, por Belinda duke e ditur që paratë i merrte Edi Rama me Erion Veliaj një pjesë, ajo hesht”, tha Berisha.
Sa i përket tunelit të Llogorasë, Berisha theksoi se përfundimi i tij kërkon edhe 50 milionë euro të tjera, duke e cilësuar projektin si të tejkaluar dhe të dyshimtë që në fazën e tenderimit. “Kompania që fitoi ishte e dyta me 130 milionë euro, ndërsa e para kishte ofertuar 180 milionë. Tani kërkohen edhe 50 milionë të tjera, duke e çuar koston në 230 milionë euro. Këta janë të paimagjinueshëm”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se përgjegjësia kryesore qëndron tek Edi Rama dhe Erion Veliaj, ndërsa Balluku, sipas tij, hesht për të mbrojtur veten dhe pushtetin./ Zoom.al