zoom

Ekonomi

Mirëmbajtja e tunelit të Llogorasë, ARRSH hap tenderin për mbikëqyrjen

Mirëmbajtja e tunelit të Llogorasë, ARRSH hap tenderin për mbikëqyrjen

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur këtë javë garën për procedurën që ka në objekt mbikëqyrjen e procesit të mirëmbajtjes së tunelit të Llogorasë me një fond limit 116 mijë euro.

Në dokumentet e procedurës, ARRSH specifikon se kjo kontratë është e lidhur me një tjetër, konkretisht ajo “Mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Llogorasë”. Kjo e fundit u çel në mars si garë dhe parashikonte një fond limit 311 milionë lekë apo 3.1 milionë euro.

“Projekti i tunelit të Llogorasë është pjesë e rrugës Orikum-Himarë, loti 2, është një projekt transformues për zhvillimin e infrastrukturës me impakt në ekonominë dhe turizmin e vendit në bregdetin e jugut.

Ky projekt do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut ndërmjet qyteteve dhe fshatrave bregdetare që shtrihen në bregdetin jugor; reduktimin e kohës së udhëtimit; reduktimin e numrit të aksidenteve; përmirësimin e sigurisë rrugore duke evituar kështu kalimin nga Qafa e Llogorasë, e cila konsiderohet si një rrugë mjaft e vështirë në një terren malor, sidomos në periudhën e dimrit”, thuhet në dokumentet e ARRSH.

Loti 2 i rrugës Orikum-Himarë, në të cilin ndodhet tuneli i Llogorasë, fillon 500 metra në veriperëndim të urës së Shën Elizës në segmentin rrugor Dukat-Llogora dhe përfundon 1.3 km në perëndim të urës së Palasës. Gjatësia totale e itinerarit është 7.42 km.

“Pjesa më e rëndësishme e kësaj vepre janë tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Tuneli kryesor ka një gjatësi prej 5.99 km, duke marrë në konsideratë portalet, krahas të cilit në një largësi aksiale 40 m shtrihet tuneli i emergjencës me një gjatë 6 km, që aktualisht është në fazë ndërtimi. Qendra e Kontrollit që monitoron operimin e sistemeve të ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës pozicionet në portalin verior të tunelit. Përgjatë tunelit ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, ku 5 janë për automjete dhe 6 për këmbësorët. Këto kalime lidhëse tërthore janë të shoqëruara me vendqëndrime për mjetet çdo 1 km në secilën anë, pra 6 në sensin e lëvizjes Orikum-Himarë dhe 5 në sensin e lëvizjes Himarë-Orikum”, thuhet në dokument.

Ky segment rrugor sipas ARRSH aktualisht ka përfunduar fazën e ndërtimit në 15 dhjetor 2024 dhe aktualisht është në periudhën e garancisë së defekteve, e cila zgjat 2 vjet, d.m.th. deri në 15 dhjetor 2026.

Me përfundimin e periudhës së garancisë së defekteve të këtij objekti, kontraktori aktual do të dorëzojë te punëdhënësi të gjithë setin e plotë të inventarit të pajisjeve elektro-mekanike, aparaturave, manualet përkatëse, etj..

Mbikëqyrësi i mirëmbajtjes së tunelit do të asistojë/ monitorojë procesin e marrjes në dorëzim të këtij inventari nga kontraktori i mirëmbajtjes/monitorimit të tunelit, i cili do të jetë pjesë integrale e pajisjeve dhe makinerive të tunelit në vazhdimësi./ Monitor

Postime të lidhura