zoom

Aktualitet

Çifti mjek-mësuese/ Jorida Tabaku: Nuk sigurojnë dot një apartament në Shqipëri, koha për t’i mbrojtur

Çifti mjek-mësuese/ Jorida Tabaku: Nuk sigurojnë dot një apartament në Shqipëri, koha për t’i mbrojtur

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në listën e hapur për Qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, ka ndarë në rrjetet sociale një tjetër dëshmi të realitetit të vështirë me të cilin përballen përditë profesionistët shqiptarë.

Kësaj here, Tabaku sjell historinë prekëse të një mjeku shqiptar, simbol i shtresës së mesme, i cili punon në sistemin shëndetësor publik, por nuk arrin të sigurojë një jetesë dinjitoze për familjen e tij.

Në video-mesazhin e publikuar, Tabaku tregon se bashkëshortja e këtij mjeku është mësuese dhe e detyruar të mbajë një punë të dytë për të përballuar kostot e jetesës. Megjithë përpjekjet dhe përkushtimin e tyre, çifti nuk mund të përballojë blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe as të garantojë një të ardhme më të mirë për fëmijët.

“Sot, mjekët dhe profesionistët shqiptarë ndihen të braktisur. Ata mbajnë mbi supe barrën e një sistemi që nuk i shpërblen, por i lodh dhe i përjashton,” – deklaron Tabaku. Ajo thekson se shteti ka dështuar të krijojë kushte që i lejojnë këta profesionistë të ushtrojnë punën me dinjitet, ndërsa koncesionet e panevojshme po gërryejnë thelbin e sistemit shëndetësor.

Duke i bërë thirrje votuesve, Tabaku nënvizon rëndësinë e mbështetjes së shtresës së mesme, të cilën e konsideron themelin e një shoqërie të qëndrueshme: “Shtresa e mesme po varfërohet çdo ditë më shumë nga padrejtësia ekonomike dhe mungesa e perspektivës. Është koha që të ngremë zërin për ta, është koha për ndryshim.”

Ajo apelon për mbështetje më 11 maj, duke theksuar se Partia Demokratike do të jetë zëri i profesionistëve të ndershëm dhe familjeve që punojnë me dinjitet për një jetë më të mirë.

Postime të lidhura