zoom

Lajme

EDITORIAL/ Plumbat bien mbi fëmijët, ku janë politikanët e “ndryshimit” Shehaj, Shabani, Lapaj e Qori?

EDITORIAL/ Plumbat bien mbi fëmijët, ku janë politikanët e “ndryshimit” Shehaj, Shabani, Lapaj e Qori?

Mbrëmë, Tirana u trondit nga një atentat mafioz, i paprecedent. Në mes të zonës së populluar pranë TEG-ut, u qëllua me kallashnikov ndaj katër personave – dy prej të cilëve të mitur, 11 dhe 17 vjeç dhe të tjerë, 19 dhe 34 vjeç. Vetëm një mrekulli i shpëtoi nga vdekja. Vetëm dy orë përpara kësaj ngjarje tronditëse, në Milot, u ekzekutua me armë zjarri Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, një tjetër krim që policia nuk e parandaloi dot. Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është më një çështje sigurie; është emergjencë kombëtare.

Në këto orë të errëta ku krimi e ka futur vendin, ku policia është inekzistente, e gjithë shoqëria ka mbetur pa zë. Edhe ata që flasin gjatë gjithë vitit për gjithçka, heshtën.

Ku janë partitë e vogla që premtojnë “ndryshim”? Ku janë kandidatët “e rinj” që flasin për drejtësi, shtet ligjor, moral dhe dinjitet?

Ku është Arlind Qori që protestonte deri dje edhe për hallet personale të një oficeri policie?
Ku është Endri Shabani me diplomën e tij e Oksfordit?
Ku është Adriatik Lapaj me licensën e tij të avokatit?
Ku është Agron Shehaj, “kandidati cool” i kësaj fushate që promovon veten me këngë dhe videoklipe dhe po shpenzon miliona nga call-centerat e tij?

Askush prej tyre nuk reagoi. Askush nuk doli në protestë. Asnjëri nuk qëndroi përballë Drejtorisë së Policisë, Ministrisë së Brendshme apo Kryeministrisë për të kërkuar llogari për jetët e rrezikuara të fëmijëve. U zgjuan sikur e sotmja të ishte ditë normale, a thua se fëmijët e tyre do t’i rrisin gjetkë.

A është kjo politika e re që na premtojnë në përpjekjet gati të dëshpëruara për të qenë vetë në parlament?

Sepse kur plumbat bien mbi fëmijë në mes të qytetit dhe për këtë heshtin edhe ata politikanë që thonë se janë në opozitë si me pushtetin ashtu edhe me partitë tradicionale, atëherë nuk ka më as ndryshim e as shpresë. Kjo është thjesht një fasadë e zbukuruar e të njëjtit sistem. Nëse nuk protestoni për jetët e fëmijëve, për çfarë do të protestoni?

A e keni zgjedhur vërtet ndryshimin, apo thjesht po kërkoni një vend për veten në llozhën e kësaj politike të kalbur?

Nëse ka diçka që duhet ndryshuar në Shqipëri, është frika që ndiejmë çdo ditë kur fëmijët tanë dalin nga shtëpia. Dhe nëse nuk e nisni nga këtu, atëherë nuk jeni ndryshe. Jeni thjesht zëvendësimi estetik i një klase politike që nuk dëgjon dhe nuk ia ndjen.

Heshtja juaj sot është bashkëfajësi, është zhgënjim. Heshtja juaj sot flet më shumë sesa çjerrjet e gjithë jetës politike që keni mbi supe./ Zoom.al

Postime të lidhura