Aplikacion
Krimi po lulëzon. Po tregon më shumë forcë se shteti.
Mbrëmjen e djeshme, pranë TEG-ut, në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, katër persona u plagosën nga breshëri kallashnikovi.
Tre prej tyre ishin fëmijë – 19, 17 dhe 11 vjeç. Edhe shoferi i tyre u plagos. Plumbat nuk po kursejnë më askënd; as të miturit. Në mes të lokalit u vra në Milot një 64 -vjeçar. Lokali ishte plot me njerëz të tjerë kur vrasësit tërhoqën këmbëzën e kallashnikovit, me breshëri.
Kriminaliteti është rritur në nivele të paprecedenta. Kriminelët janë bër shumë të pasur, të lirë dhe të patrazuar. Ata lëvizin hapur nëpër Tiranë, mu nën hundën e Edi Ramës, Ervin Hoxhës dhe Ilir Prodës, me makina që kushtojnë mbi 200 mijë euro. Askush nuk pyet nga i kanë marrë paratë. As Policia Kriminale që i sheh përditë. As Prokuroria. As Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Nëse një hetim do të niste realisht, do të ishte shumë e lehtë të kuptohej që këto pasuri nuk justifikohen as nga puna e tyre, as nga familjarët.
Nuk i kanë baballarët biznesmenë, vetë nuk janë, familjarët nuk i kanë. Nga vijnë paratë e tyre? Përgjigjen e gjen fare lehtë çdo polic i thjeshtë. Dhe po me lehtësi do të gjente edhe provat nëse do të rrëmonte sadopak.
Këtu paratë e krimit e kanë mbërthyer ekonominë. Kryeministri Rama mund të mendojë se po e lulëzon vendin, por në të vërtetë po e kriminalizon. Nga Shkodra në Durrës, nga Elbasani në Fier e Vlorë, bandat janë bërë të paprekshme. Askush nuk i ndal dot më.
Kriminelët janë bërë aq të pushtetshëm saqë nuk ka më asgjë që in dal. SPAK, që duhet e vetmja shpresë, sheh shpesh veten nën një tjetër breshëri, si ajo e plumbave të kallashnikovi të bandave, por nga kryeministri, i cili, edhe kur thotë se po e mbron, në fakt po e dobëson. Sepse ai i thotë SPAK-ut që, po të mos jem unë, nuk jeni as ju. Kriminelët që i shkojnë pas qeverisë, e kanë mesazhin e qartë: po të dojë Rama e shkrin SPAK-un. Kështu që e kupotojnë se duhet t’i rrinë pranë shefit të qeverisë. Ai nuk është se po i refuzon: i futi edhe në parlament.
Në Shqipëri, paratë i kanë të fortët. Ata që merren me drogë, kontrabandë, mashtrime me call center që kontrollohen nga bandat më të rrezikshme, ata që kontrollojnë tenderat dhe korrupsionin. Qytetari i ndershëm ka mbetur i varfër. Kriminelët paguajnë këdo; policë, prokurorë, gjyqtarë, politikanë. Paratë e tyre janë bileta bileta që ata i kanë siguruar vetes për të bërë çfarë të duan në këtë vend që po e mbyt krimi dhe vjedhja. Krimi nuk ka më frikë në Shqiperi. Krimi ka ngritur dorë kundër kujtdo dhe askush nuk e frenon. Pyetja është e thjeshtë: Pse?
Përgjigjja është gjithashtu thjeshtë: sepse Edi Rama, në vend që ta dekurajojë, e ka inkurajuar krimin. Ai nuk ka përmendur deri më sot asnjë kriminel me emër. Me përpjekjet për të legalizuara paratë e pista, (duke u mbushur mendjen ca njerëzve pranë tij se këto para janë të nevojshme për ekonominë, siç ishin ato të kanabisit), e ka trimëruar krimin, e ka nxitur që ta shtrijë aktivitetin e tij. Ky është një bekim për krimin.
Nuk ka përgjigjje tjetër, nuk ka arsye tjetër pse jemi në këtë gjendje. Sot asnjë qytetar nuk guxon të flasë në qytetin e tij kundër bandave që kontrollojnë gjithçka, që vendosin për emërimet në polici, hipoteka, dogana, posta, administratë e kudo.
Kush ka vendosur të jetojë i ndershëm, po hesht ose po ia mbath, duke ia dorëzuar vendin krimit. /Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit