Aplikacion
Një përplasje e drejtpërdrejtë ka ndodhur sot në Elbasan, ku Kryeministri Edi Rama i ka tërhequr publikisht vërejtje kryebashkiakut Gledian Llatja gjatë një takimi me qytetarë dhe sipërmarrës lokalë.
Arsyeja? Kushtet e papranueshme për fëmijët me aftësi ndryshe në shkollën “Zëra Jete”.
Gjatë fjalës së saj, një sipërmarrëse dhe aktiviste sociale, e cila kishte jetuar 25 vite në Itali, shpalosi realitetin e vështirë që përballen mbi 60 fëmijë me aftësi ndryshe që ndjekin shkollën në kushte të papërshtatshme, në ambientet e Muzeut të qytetit.
“Është e patolerueshme që Shqipëria po hyn në BE, dhe fëmijët ngjiten shkallëve të muzeut çdo mëngjes. Mësueset janë heroinat e vërteta. Ata fëmijë, në të ardhmen, mund të jenë më të aftë se ne,” – u shpreh ajo.
Por reagimi që ndezi sallën erdhi nga vetë Kryeministri Rama, i cili u kthye drejt kryebashkiakut:
“Ç’a do më thuash ti tani, s’ke çfarë më thua! Pse më shkel syrin?! S’ke çfarë më thua. Ti duhet ta kishe bërë që të mos vinte dita të ma thoshte ajo mua! Tani që ma tha ajo, s’ma thua dot ti!”
Rama ironizoi më tej “buzëqeshjen heroike” të Llatjës sa herë që e sheh dhe kërkoi zgjidhje urgjente të problemit, duke premtuar se do ndjekë nga afër përmbushjen e premtimit: “Në Shtator do më njoftoni dhe unë do falënderoj kryetarin e bashkisë – ose në të kundërt, do shkojmë bashkë te kryetari!”