zoom

Lajme

Spoti skandaloz i Edona Bilalit: Mos vdis pa më votuar mua në 11 Maj (VIDEO)

Spoti skandaloz i Edona Bilalit: Mos vdis pa më votuar mua në 11 Maj (VIDEO)

Spoti elektoral i kandidates së PS-së në Shkodër, Edona Bilali ka nxitur reagime dhe kritika të shumta në rrjet.

Ajo përdor në video një të moshuar të shtruar në spital (aktorin Besnik Çinari) në dukje, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pavarësisht gjendjes ku është, ai shprehet se dëshira e tij e fundit është të jetojë deri më 11 maj, vetëm për të përmbushur premtimin e dhënë ndaj Edona Bilalit për ta votuar.

Doktori i jep shpresë se do të mundet, ndërsa i moshuari mbyll mesazhin me fjalët: “E gëzofsh mandatin Edona Bilali”.

Përdorimi i një skene kaq të ndjeshme dhe prekëse në kufijtë e jetës dhe vdekjes për qëllime elektorale konsiderohet si joetik dhe manipulues. Kjo e Bilalit ngjason me një fushatë që bën shfrytëzim emocional të figurës së të moshuarit, duke prekur ndjenja të forta për të fituar kapital politik.

Mes rreshtash, Edona Bilali duket sikur i thotë të moshuarit: “Jeto deri më 11 maj që të votosh për mua dhe më pas mund të vdesësh”. Pra, duket sikur vota merr më shumë vlerë se jeta.

Për shkak të reagimit të fortë që pati në rrjet, Edona Bilali u detyrua ta fshinte spotin e saj elektoral nga Facebook-u, aty ku fillimisht e kishte postuar.

Në një kohë kur fushatat politike duhet të bazohen në ide, projekte dhe transparencë, përdorimi i skenave të tilla dramatike ngre pikëpyetje të mëdha mbi etikën e komunikimit publik dhe respektin ndaj dinjitetit të njerëzve në momente të vështira./ Zoom.al

Postime të lidhura