Aplikacion
Edona Bilali u gjend në qendër të kritikave këtë të martë, për shkak të një spoti elektoral skandaloz, ku luhej me konceptin e jetës, përballë votës.
Për shkak të reagimit të fortë që pati në rrjet, Edona Bilali u detyrua ta fshinte spotin e saj elektoral nga Facebook-u, aty ku fillimisht e kishte postuar.
Por videoja ku duket sikur kandidatja e PS-së në Shkodër i thotë të moshuarit “Voto për mua pastaj vdis”, nuk është e vetmja bëmë.
Edona Bilali është bërë pjesë e politikës shqiptare në vitin 2021, kur u emërua ministre për Sipërmarrjen dhe u fut në Kuvend si deputete për Shkodrën.
Por, që para se të niste karrierën politike me Partinë Socialiste, ajo tërhoqi vëmendjen me një deklaratë “bombastike”.
Një nga momentet më të diskutueshme të figurës së saj politike ka qenë një deklaratë e vitit 2017, ku ajo e krahasoi kryeministrin Edi Rama me perëndinë greke Zeus.
Ajo e shpjegoi më vonë këtë deklaratë si një shaka dhe e konsideroi si diçka të nxjerrë jashtë kontekstit, por duke shtuar se i qëndronte asaj deklarate.
“Deklarata e Zeusit është nxjerrë nga konteksti një deklaratë e vitit 2017 kur isha pjesë e Shoqërisë Civile ende e paangazhuar politikisht. Fatkeqësisht deklarata ime e 2017-tës është ende në fuqi, është e vlefshme edhe sot ku ne i bëjmë opozitë vetes duke punuar 24/7,”- tha asokohe Edona Bilali.
Komenti për sjelljen e vajzave
Edhe pasi u bë pjesë e politikës, Edona Bilali vijoi të tërheqë vëmendjen dhe të komentohej në rrjet për deklaratat e saj.
Në një program televiziv, në vitin 2022, Bilali komentoi sjelljen e vajzave dhe djemve, duke thënë se kur një vajzë i kërkon një djali një çakmak, kjo do të thotë se ajo është e interesuar për të.
“Në vendet e Europës Perëndimore, shenja e të kërkuarit çakmak, është shenjë e kalimit të 2-3 fazave për njëherë,”- tha ajo.
Ky koment u kritikua për përhapjen e stereotipeve gjinore.
Edona Bilali është kritikuar edhe për një deklaratë tjetër, kur ajo i quante kolegët e saj socialistë “llum”.
Në një intervistë, Bilali i etiketoi disa anëtarë të Partisë Socialiste në Shkodër “llum i partisë”, duke i akuzuar ata për punë në interes të tyre personal dhe për bojkotimin e mbledhjeve të këshillit.
“Nuk është hera e parë që ka mosmarrëveshje për vendimet që duhet të merren brenda këshillit. Një pakicë sheh interesat e veta, jo të mirën publike. Nuk janë Partia Socialiste, as kjo qasje e PS-së në Shkodër. PS nuk do të vinte kurrë interesat e qytetarëve para interesave partiake. Në rastin konkret nuk ka asnjë interes partiak, sepse mosdhënia e ndihmës ekonomike është në kulmin e humanizmit. Revolta ishte për faktin e ndihmës ekonomike. Ju nuk duhet të bojkotoni mbledhjen. Një qasje e tillë nuk e përfaqëson PS-në,”- u shpreh mes të tjerash Bilali.
Abuzime me start up-e
Në kohën që ishte ministre, Edona Bilali është akuzuar se abuzoi me fondet për start up-e, duke shpërndarë grante te miqtë dhe shokët e saj.
Sypatrembur nga ligji, ministrja i dha dy grante me vlerë 88 milionë lekë, dy organizatave që janë pjesë e rrjetit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Edona Bilali dhe dy shefat e AADF-së, Mata e Sarapuli nuk e panë konfliktin e interesit në faktin se janë që të dy anëtarë të bordit të qendrës që përfiton grante dhe njëkohësisht kanë anëtarët e AADF-së në komisionin qe i jep grantet. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka qenë në qendër të debatit vazhdimisht për koncensionin e Butrintit.
Një rast tjetër i granteve për start up-e është edhe ai i Flladi Agollit, i biri i Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit,i cili ka përfituar 40 milionë lekë për start-up-in e tij. Kohë më parë, Dritan Agolli u denoncua për shpërblimin e të birit me 500 milionë lekë, duke e shpallur fitues për një libër gatimi, shefin e restorantit të tij.
Ministrja e sipërmarrjes në keqpërdorim të parave nga arka e shtetit ka darovitur edhe një familje tjetër, me sa duket të afërt me të dhe partinë. Altin dhe Arbi Bamllari, babë e bir kanë marrë 50 milionë lekë për kompanitë e tyre “Skytech” dhe “3DSKY”. Gjithashtu, Bilali ka dhënë një grant prej 50 milionë lekësh për Kamela Haskon, auditore që mesa duket ka qenë bashkëpunëtore e Edonës kur kjo drejtonte një kompani konsulencash. Hasko së bashku me bashkëshortin menaxhojnë zyrën e auditit “AKH consulting” që është larg te qënurit inovative, rinore, apo teknologjike, denoncoi në vitin 2022 PD-ja.
Emërime nepotike
Edona Bilali është përballur me akuza për emërime nepotike gjatë periudhës së saj si ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Në vitin 2021, media të ndryshme raportuan se disa familjarë dhe të afërm të Bilalit ishin emëruar në pozicione drejtuese në administratën publike në Shkodër. Sipas këtyre raporteve, drejtori i ri i targave (DPSHTRR) në Shkodër ishte djali i tezes së burrit të Bilalit, drejtori i Tatimeve ishte nipi i nënës së saj, dhe drejtori i Hipotekës ishte gjithashtu i lidhur me të.
E kontaktuar nga gazetarët e emisionit “Fiks Fare”, Bilali mohoi akuzat dhe premtoi të ofronte certifikata familjare për të vërtetuar mungesën e lidhjeve familjare me të emëruarit. Megjithatë, ajo nuk vuri në dispozicion dokumentacionin e premtuar dhe nuk iu përgjigj kërkesave të mëvonshme për sqarime./ Zoom.al
U zgjodh anëtar i Këshillit të PD, Stresi: Di shumë gjëra që nuk dihen, me Noizyn vura bast