zoom

Aktualitet

“Ti i pesti, Liri i shtati…”/ Si e ndihmuan “të fortët”, Jurgis Çyrbjen të zgjidhej 2 herë deputet

“Ti i pesti, Liri i shtati…”/ Si e ndihmuan “të fortët”, Jurgis Çyrbjen të zgjidhej 2 herë deputet

Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka trajtuar mbrëmjen e sotme krimin zgjedhor dhe deformimin e votës së lirë. 

Në qendër të analizës ishin rastet konkrete të përfshirjes së krimit të organizuar në proceset zgjedhore, të dokumentuara në media dhe të përfshira në hetimet e SPAK.

Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, SPAK ka ndërmarrë hapa konkrete për të parandaluar ndikimin e krimit dhe korrupsionit në procesin zgjedhor, me qëllimin për të garantuar një garë të ndershme dhe transparente.

Një nga rastet më të bujshme të ekspozuara ishte ai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. Përgjimet e SkyECC zbuluan se emri i tij ishte promovuar nga eksponentë të krimit të organizuar. Në dosjen hetimore thuhet se Çyrbja kishte krijuar lidhje të ngushta me krimin në zonën e Durrësit, ku sipas përgjimeve, grupet kriminale kishin ndikim të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Në një bisedë të zbardhur nga dosja hetimore, Altin Hajri, një prej drejtuesve të një grupi kriminal në Shijak, shprehej:

“Tashi sa e mbylla muhabetin tënd se kam 3 orë me atë, po mos fol me njeri se na prishin pun. Se ja kërkova personalisht. Do ja çoj ashtu tha, normal ti i pesti, Liri i shtati.”

Në dokumentet hetimore përmendet edhe Julian Meçaj, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i cili, sipas SPAK, ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Çyrbjen gjatë fushatës së vitit 2021.

Në një tjetër episod tronditës, emisioni solli në vëmendje detaje nga dosja hetimore 339, ku del emri i Astrit Avdylajt, kreu i grupit kriminal të Shijakut. Sipas përgjimeve, Avdylaj ka ndërhyrë direkt për të siguruar kandidimin e Ilir Ndraxhit për deputet në zgjedhjet e vitit 2017.

Në një bisedë me zyrtarë lokalë të PS dhe figura të krimit të organizuar, Avdylaj shprehej hapur për planifikimin e takimeve me drejtues të lartë të partisë për të siguruar pozicionimin e Ndraxhit në listën fituese.

“Nesër kemi një takim në orën 10 të mëngjesit. Unë, ti, Gjushi, Liri, vllai i Lirit, dhe Jupi do pimë një kafe nesër në Durrës”, dëgjohet të thotë Avdylaj në një telefonatë.

Disa ditë më pas, Ilir Ndraxhi u konfirmua si kandidat zyrtar i PS për qarkun e Durrësit, duke dëshmuar një tjetër rast ku interesat e krimit u përkthyen në ndikim real në përfaqësimin politik.

Postime të lidhura