Aplikacion
Gjuha fyese e kryeministrit Edi Rama në fushatën elektorale të 11 majit ka kaluar çdo kufi, duke provokuar reagime të forta nga shoqëria civile dhe figura publike.
Gjatë një aktiviteti politik të martën, Rama përdori termin “autik” në mënyrë përçmuese, teksa u shpreh: “Të zgjedhësh midis BE dhe kënetës, kënetën domethënë nuk je mirë, politikisht je autik, s’je mirë.”
Kjo deklaratë ka shkaktuar zemërim të madh, sidomos mes familjeve të personave me aftësi ndryshe, duke u interpretuar si një akt diskriminues dhe i pavend për një përfaqësues të lartë të shtetit.
Kritikat më të ashpra kanë ardhur nga profesori Edmond Tupja, i cili në një intervistë për Syri.net e ka cilësuar Ramën si “monstër politik” dhe “njeri të pashpirt”.
“Edi Rama nuk ka dhembshuri për askënd. Ai urren vetveten dhe të tjerët, është shoqërisht dhe ndërkombëtarisht i rrezikshëm,” – tha Tupja, duke theksuar se kjo lloj gjuhe është jo vetëm zhgënjyese dhe çnjerëzore, por edhe dëshmi e një përbindshmërie të instaluar në majën e pushtetit.
Sipas profesor Tupes, përdorimi i një diagnoze serioze si “autizmi” për të fyer kundërshtarët politikë nuk është vetëm mungesë ndjeshmërie, por edhe një shpërfaqje e hapur e një sadizmi verbal, që godet padrejtësisht një nga shtresat më të pambrojtura të shoqërisë. /Zoom.al