Aplikacion
Në politikën shqiptare, duket se nuk ka më kufij të asaj që mund të thuhet dhe kush mund ta thotë. Përplasja e fundit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ilir Vrenozit është një përballje pa pikë lidhje me debatin politik.
Përballja mes tyre ka degraduar sot. Por ajo nisi kështu. Edi Rama i kërkoi demokratit të pinte një kafe me të. Ai e refuzoi dhe në një video në rrjetet sociale e ekspozoi tentativën e Ramës. Kryeministri tha se në disa gjëra Vrenozi gënjente, por nuk e fshehu dot irritimin që tentativa e tij e dështuar u bë publike.
Dje Rama u tha disa fëmijëve në Kavajë të futeshin në internet e të shikonin fotot e tij nudo të 15 viteve më parë në një plazh të jugut të Francës. Deklarata skandaloze solli reagime të ashpra nga PD, ndërsa OJQ-të dhe institucionet heshtën.
Sot Ilir Vrenozi, që publikoi një video duke pirë kafe me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, e shpotiti Ramën për deklaratën e tij. Duke folur në mitingun e PD-së në Korçë ai tha:
“O shkë*dhatë. (Rama) U thotë fëmijëve hyni në Youtube e më shihni nudo. Ato janë foto të para 15 vjetëve. Nxirre tani, që e ke sa një kokërr ulliri.”
Dhe si të bëhej fjalë për trurin, Rama reagoi i irrituar. Krenaria mashkullore kapërcen mendjen në Ballkan.
“Po pse kot e thashë unë që Vrenozi është 1-shi i vërtetë i PD-së! Shikojeni se si e shpërthen ai një sallë të tërë me sharjet e tij ekstreme e me thirrjet ndaj fantazisë erotike të audiencës fanatike, që ta kuptoni deri në fund se çfarë kënete është PD-ja! Bufi as në ëndërr se kap dot më atë nivel ekzaltimi të turmës së habitatit të tij të lashtë. Për mua Vrenozit i takon kapelja e Bufit deri në 11 maj dhe pas 11 majit edhe froni i mbretit të kënetës. Po ju si mendoni?” -shkruan kreu i qeverisë.
Me sarkazmën e tij Rama e quan Vrenozin “1-shin e vërtetë të PD-së” dhe “mbretin e kënetës”. Por kjo ngjan pak me përrallën e La Fontaine, “Dhelpra dhe rrushtë”. Rama e di që Vrenozi ka fjalor banal si në videot që tha se ia ndjek. Por pavarësisht kësaj dje ai i kërkoi të takoheshin për një kafe. Por sot, pas refuzimit, nisi fyerjet ndaj tij.
Thelbi i kësaj historie është tjetërkund: është një tregues se për ca vota Edi Rama është gati të ulet edhe me djallin dhe as që turpërohet kur denigrimi personal bëhen mjet komunikimi.
Dhe kur fjalori në publik degradon, kjo nuk është më “dhelpra dhe rrushtë”, kjo është “derrat në llucë”, ku të dy palët rrokullisen në të njëjtin llum verbal për të marrë sa më shumë duartrokitje nga fanatikët e tyre.
Edi Rama pa sot që përralla me Vrenozin ka mbaruar. Dhe realiteti tregon se kur fjalori banalizohet, nuk ka më dallim mes politikanit dhe karikaturës./ Zoom.al