zoom

Lajme

“Autik, çyryk”/ ISP reagon e shqetësuar për gjuhën e Ramës gjatë fushatës: Bullizuese, institucionet të ndërhyjnë

“Autik, çyryk”/ ISP reagon e shqetësuar për gjuhën e Ramës gjatë fushatës: Bullizuese, institucionet të ndërhyjnë

Teksa Edi Rama ka zgjedhur të kërkojë votën gjatë kësaj fushate duke ofenduar qytetarët që votojnë për PD, Instituti i Studimeve Politike ka shprehur shqetësim për klimën politike në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, duke kritikuar gjuhën e përdorur nga disa prej figurave më të larta drejtuese në partitë politike dhe institucionet shtetërore.

Në një deklaratë publike, ISP thekson se fushata po shoqërohet nga retorikë fyese, bullizuese dhe denigruese, e cila jo vetëm që bie ndesh me standardet etike dhe demokratike, por edhe ushqen diskriminimin mbi baza politike, sociale, gjinore dhe krahinore.

Sipas institutit, është paradoksale që ndërsa premtimet publike flasin për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, demokraci funksionale dhe mirëqeverisje, në të njëjtën kohë përdoret një fjalor i papranueshëm kundër kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve kritikë.

ISP u bën thirrje partive të ndalojnë këtë gjuhë dhe t’i rikthehen debatit të shëndetshëm mbi platformat, reformat dhe shqetësimet reale të qytetarëve, duke kërkuar një fushatë dinjitoze dhe larg praktikave përçarëse.

Deklarata e ISP

Me shqetësim të thellë Instituti i Studimeve Politike (ISP) konstaton se gjuha politike e disa prej figurave më të rëndësishme drejtuese në partitë politike, në qeveri, në parlament e në institucione me natyrë politike, është jo vetëm jo etike, zhgënjyese, bullizuese, denigruese, por edhe nxitëse të diskriminimit mbi bazën e pikëpamjeve politike, gjendjes sociale, gjendjes shëndetësore, gjinisë, krahinës apo moshës.

Të premtosh Shqipërinë në BE, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen e vendit, një Shqipëri reformatore dhe progresiste, dhe, në të njëjtën kohë të etiketosh me fjalor të padenjë e bullizues, kritikët apo rivalët përballë, votuesit kundër apo grupet shoqërore skeptike, përbën një kontrast domethënës dhe tregues i hendekut të thellë midis modelit politik që duhet të kemi dhe modelit që mund të ofrojë një elitë politike e paaftë për reforma, refuzuese ndaj llogaridhënies dhe dialogut qytetar, arrogante në qasje dhe e përfshirë në praktika korruptive apo keqqeverisëse.

Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë respekt. Ndaj tyre zyrtarët e lartë, politikanët, liderit dhe çdo individ dhe media me akses publik kanë detyrë dhe përgjegjësi morale e ligjore të respektojë të drejtat e njeriut, të heqin dorë nga etiketimet diskriminuese dhe bullizuese ndaj kritikëve politikë, si dhe të dëshmojnë maturi e integritet në përmbushjen e detyrimeve ndaj parimeve kushtetuese, dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Kodit të Etikës, pranuar e firmosur nga të gjitha partitë politike.

ISP apelon partitë t’i rikthehen debatit politik mbi alternativat dhe reformat prioritare, mbi shqetësimet e qytetarëve dhe nevojat thelbësore të vendit.

Gjithashtu ISP apelon Komisionerin kundër Diskriminimit, Komisionerin për të drejtën e informimit, KQZ dhe institucionet ligjzbatuese të ndërhyjnë për të garantuar jetësimin integral të legjislacionit mbi të drejtat e njeriut gjatë procesit zgjedhor./ Zoom.al

Postime të lidhura