Nga redaksia e Zoom.al
I gjendur paraditen e sotme në një takim me pensionistët e Gjirokastrës, Edi Rama gjeti sërish hapësirë për t’i mëshuar retorikës së tij të papranueshme.
Duke mos bërë asnjë hap pas nga deklarata fyese e pak ditëve më parë në Dibër, ku iu referua burrave “
që pllaquriten në kënetë” si çyrykë, kryeministri shtoi sot dozën e papërgjegjshmërisë së tij tronditëse, duke iu referuar të njëjtit grupim, këtë herë si autikë.
I fshehur pas justifikimit “
e them si metaforë, nuk është raport klinik”, vijoi: “
Politikisht je autik, s’je mirë”.
Drejtues prej më shumë se një dekade i këtij populli, Rama fyen të gjithë shqiptarët që përkrahin rivalin e tij, shqiptarë që duhet t’u shërbejë me përuljen e një lideri, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Jo vetëm kaq, por arrin deri aty sa u vendos me moskokëçarjen më të madhe epitete të një çrregullimi neurozhvillimor, siç është autizmi.
Të gjithën këtë, Rama ia lejon vetes t’i ndodhë publikisht, pa u sikletosur përpara kamerave, pa e vrarë mendjen nga reagimi i institucioneve përgjegjëse apo kryqëzimi që duhet t’i bëjë shoqëria civile. Deklarata të lëshuara me vetëdije të plotë, dehur nga arroganca e pushtetit dhe paprekshmëria përballë pasojave.
Sipas statistikave jozyrtare, plot 12 mijë persona janë pjesë e spektrit autik në Shqipëri, teksa “çyrykët” që përkrahin Sali Berishën, siç Rama vetë deklaroi, mund të jenë më shumë se gjysma e burrave shqiptarë.
I njëjti person që shënjestron, fyen dhe prek plagët e mijëra shqiptarëve, është po ai që, nëse fiton më 11 maj, do të duhet të jetë edhe kryeministri i tyre.
Por sa gjithëpërfshirës mund të jetë një lider, i cili përçan dhe sundon, duke thënë dhe nënkuptuar haptas se kush nuk është me të, nuk është mirë mendërisht?
Ajo që tremb më shumë është fakti se nëse Rama nuk ruhet pikërisht tani, në periudhë zgjedhore dhe nuk i druhet zemëratës apo ndëshkimit popullor, çfarë pritet të ndodhë nëse ai merr mandatin e radhës?
E nëse sot, një kryeministër në fushatë përqesh, etiketon dhe përjashton pjesë të tëra të popullsisë, si do të jetë gjendja nesër, kur votimet të mbarojnë, votat të jenë mbledhur dhe kamerat të fiken. Sepse në republikën e Edi Ramës nuk mjafton të jesh qytetar. Duhet edhe të jesh dakord me të — përndryshe, rrezikon të kthehesh në çyryk.
*
Shënim:
Çyrykland
emër (ironik, joformal) – Përdorur në mënyrë tallëse e sarkastike për të përshkruar një vend imagjinar ku, sipas përfytyrimit të autorit, jetojnë ose sundojnë vetëm “çyrykët” – individë të cilët etiketohen si të paaftë, të pavlerë apo të papërshtatshëm.
Toka e Çyrykëve.
Postime të lidhura