Aplikacion
Kryesocialisti Edi Rama zbarkoi në Dibër këtë të enjte, jo për të ndarë ndonjë plan ekonomik apo për të premtuar ndonjë rrugë tjetër (se rrugët s’kanë fund), por për të kujtuar se dikur, në takimet e para me socialistët e Dibrës, ndjehej si më budallai i dhomës së mbushur me burra.
Ironikisht, tani është “më i mençuri” në Pallatin e Sportit, ku flet para grave dhe vajzave që i sheh si shpëtimtaret e fushatës.
“Nuk merrsha vesh as çfarë thoshin burrat, as me kë e kishin, por kuptova vetëm një gjë: më budallai aty isha unë”, deklaroi Rama.
Tani që “komanda” i ka kaluar grave, Rama është i bindur që Dibra do bëhet rozë më 12 maj. Madje, është aq optimist, sa mendon se socialistët do fitojnë 4 me 1, një rezultat që siç u shpreh ai, as në ëndrrat e Ilir Metës s’ka ndodhur.
Kryeministri nuk harroi të llogarisë edhe me stilin e tij karakteristik: “Nëse kemi gratë, të rinjtë dhe vetëm gjysmën e burrave, jemi në rregull. Se gjysma tjetër janë çyrykë.”
Dhe si për ta vulosur mesazhin me një metaforë gjeopolitike që s’i mungon kurrë, Rama përmbylli: “Dibra është grua, Shqipëria është grua, Europa është grua.” Burrat? Janë diku aty, gjysma normalë, gjysma për servis.