zoom

Aktualitet

Ndodh në Tiranë/ I moshuari gjobitet me 200 euro pse krasiti pemët. Reagon ashpër Braçe

Ndodh në Tiranë/ I moshuari gjobitet me 200 euro pse krasiti pemët. Reagon ashpër Braçe

Një i moshuar në Tiranë është ndëshkuar me një gjobë prej 200 eurosh nga Policia Bashkiake, pasi kishte krasitur pemët që kishte mbjellë vetë përpara pallatit ku banon.

Rasti u bë publik nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili në rrjetet sociale ndau edhe fletën e gjobës, duke e cilësuar këtë veprim të pajustifikueshëm.

I moshuari, Sabriu, jeton në një pallat në Njësinë nr. 5 dhe prej vitesh kujdeset për pemët dhe shkurret që ka mbjellë vetë. Megjithatë, Policia Bashkiake e ka konsideruar këtë akt si “prerje dhe shkulje pemësh”, duke vendosur një gjobë prej 20,000 lekësh (rreth 200 euro).

Deputeti Braçe ka reaguar ashpër ndaj kësaj situate, duke theksuar se kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë policia vendore. Ai tha se Sabriu prej katër muajsh po përpiqet të gjejë të drejtën e tij, por ende nuk ka marrë një zgjidhje.

“Kjo nuk është policia bashkiake që na duhet!!Dje ju thashë që “kur i do policitë e të gjitha llojeve, NUK I GJEN KURRË”; por ama për të bërë dëm në komunitet, gjenden gjithnjë. Tek trekëndëshi i 1 majit më përplasën në fytyrë këtë gjobë – 20.000 lekë, dmth 200 mijë lekë, troç 200 euro! Gjoba thotë “për shkulje, prerje pemësh, shkurresh, etj.”

Shihni fotot dhe videon dhe gjykoni vetë! Një burrë i moshuar – Sabriu, që ka shtëpinë në kat të parë, i ka mbjellë vetë edhe ullinjtë, edhe pemët e tjera, edhe shkurret. Të harlisura, dhe në periudhën e duhur, i ka krasitur siç ja bën muuuuuuuuu! Pra, i ka mirëmbajtur siç i mirëmban përditë! I vunë këtë gjobë! Ka katër muaj që plas të gjejë të drejtën e tij, por s’e gjen kërkund!!

Jo çdo lloj injoranti merr vesh nga kjo punë. Krasitja e pemëve të tua nuk është shkelje ligji!! Tani mezi pres që polici i radhës i Policisë Bashkiake të hyjë këtu e të më thotë: “ti gënjen”, tha Erion Braçe./ Zoom.al

Postime të lidhura