Aplikacion
Gjatë një ndalese në Dibër në kuadër të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të komentojë me ironi një situatë që në fakt për shumë qytetarë është një problem real: mungesa e sinjalit telefonik.
Teksa një qytetar ishte ngjitur në një pemë për të kryer një telefonatë, Rama e përdori këtë moment për të bërë batuta që janë konsideruar nga shumë si përçmuese.
“Ke hipur në majë të pemës dhe flet në telefon? Unë thashë çfarë ka që ka hipur në pemë… s’i kapte vala poshtë dhe hipi në pemë”, u shpreh kryeministri mes të qeshurash.
Në vend që të adresonte mungesën e infrastrukturës në zonë, kryeministri zgjodhi të ironizojë qytetarin dhe situatën, duke vijuar më tej me: “Nuk e kuptoj pse janë mërzitur burrat në Dibër. Kush është mërzitur, vjen me ne dhe s’ka pse të jetë ashtu.”
Kjo gjuhë, që shpesh përzihet me tallje e banalitet, ka ngritur pikëpyetje serioze për stilin e komunikimit të një udhëheqësi në një kontekst elektoral. Në vend që të japë zgjidhje për problemet konkrete, kryeministri duket se po përqendrohet në spektaklin e fjalës, shpesh në kurriz të dinjitetit të qytetarëve.
Në rrjetet sociale dhe mediat lokale, reagimet kanë qenë të shumta, duke e cilësuar këtë qasje si ofenduese dhe si një tregues të shkëputjes së qeverisë nga realiteti i zonave të lëna pas dore./ Zoom.al