zoom

Aktualitet

Berisha sulmon Ramën: Shpenzon më shumë se Donald Trump me udhëtime

Berisha sulmon Ramën: Shpenzon më shumë se Donald Trump me udhëtime

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar fushatën zgjedhore në Fushë-Krujë, ku prezantoi kandidatët e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për abuzime masive dhe mungesë transparence gjatë 12 viteve të qeverisjes.

“I tmerruar dhe në panik, Edi Rama nuk guxon të dalë përpara qytetarëve, sepse e di se e pret një disfatë e thellë. Në 12 vite ai ka provuar se është e keqja më e madhe që shqiptarët kanë njohur,” deklaroi Berisha para mbështetësve.

Sipas tij, Rama nuk ka dalë asnjëherë publikisht për të dhënë llogari apo për të treguar qoftë edhe një sukses të vetëm të qeverisjes së tij, sepse çdo projekt apo investim është i mbuluar nga vjedhja dhe korrupsioni.

Berisha përmendi konkretisht aferën e inceneratorëve, duke akuzuar Ramën për përvetësimin e 130 milionë eurove për djegësin e Tiranës, si dhe për abuzime në ndërtimet publike: “Në çdo kilometër rrugë janë vjedhur 90% e fondit, në çdo shkollë 80%.”

Ndër të tjera, lideri demokrat akuzoi kryeministrin për shpenzime marramendëse në udhëtime me avion dhe për luks të papërballueshëm, duke përmendur shtëpinë e tij luksoze dhe investime të shtrenjta në rezidencën qeveritare: “Nuk del dot përpara jush për të dhënë llogari, sepse e di që me avionët në dispozicion, ka shpenzuar e se ka udhëtuar dy herë më shumë se Presidenti i SHBA-së në 2 vite. Se ju ka gjobitur ju me 20 milionë euro. Nuk del dot përpara jush, sepse pasi kishte deklaruar 3800 euro, na doli me saraje dy herë më të mëdha se Enver Hoxha. Doli me oborr katër herë më të madh se diktatori.” 

Postime të lidhura