Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të zjarrtë gjatë takimit elektoral në Kurbin, ku premtoi se brenda një viti nga ardhja në pushtet do të mbyllen përfundimisht plagët e lëna nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019.
Në një mesazh të fortë ndaj qeverisë aktuale, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për braktisjen e qytetarëve të prekur nga fatkeqësia natyrore dhe dështimin në rindërtim. “Pas 6 vitesh, mbi 200 familje në Kurbin ende jetojnë në çadra, ndërsa pallate të reja janë ndërtuar jashtë çdo standardi. Vetëm qeveria turke ndërtoi apartamente, qeveria shqiptare nuk bëri asgjë,” u shpreh ai.
Duke iu referuar tragjedisë në Thumanë, Berisha theksoi se askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për humbjen e jetëve nga shembja e godinave të dëmtuara, duke akuzuar direkt ministrat dhe zyrtarët e qeverisë si pjesë e “klanëve të Edi Ramës”.
Në një ton të ashpër, ai paralajmëroi shkarkimin e menjëhershëm të kryetares së Bashkisë Laç, Majlinda Cara, duke e akuzuar për abuzime me fondet publike dhe punësime fiktive. “Majlinda do shkojë tek Erion Veliaj, në burg. Duhet të punojë 30 vjet për paratë që u ka marrë qytetarëve,” tha Berisha, duke theksuar se ajo dhe zyrtarë të tjerë lokalë do të përballen me drejtësinë.
Kryedemokrati u zotua gjithashtu për rikthimin e institucioneve të mbyllura nga reforma territoriale, si gjykatat dhe prokuroritë, në të gjitha rrethet e vendit. “Largimi i shërbimeve nga qytetarët është një formë gjobëvënie, dhe kjo do të marrë fund,” tha ai.
Berisha përmbylli fjalimin me një thirrje mobilizuese për mbështetësit: “Fitorja është në duart tona. Le t’i bëjmë këto 9 ditë natë e ditë, të takojmë çdo të njohur dhe më 11 maj të votojmë për ndryshimin.”
Protesta për Zvërnecin shtrihet edhe në Kosovë, tubim para ambasadës shqiptare në Prishtinë