Aplikacion
Publikimi i fjalimit të parë të Diellës, ministres virtuale të inteligjencës artificiale, nga kryeministri Edi Rama në Kuvend, ka ndezur rrjetet sociale. Në Instagram, ku Rama publikoi videon, komentet e ndjekësve shpërthyen me tallje, ironi dhe kritika të ashpra, duke e kthyer hapësirën e tij virtuale në një arenë humori dhe zemërimi politik.
Një pjesë e madhe e ndjekësve reaguan me sarkazëm, duke e parë fjalimin e Diellës si një show politik, jo si një hap serioz drejt inovacionit.
B. Gjepali e përmbledh me një fjali të prerë: “Teatri kukullave”, komentin e tij në Instagramin e Ramës.
Erjongj…. ironizon: “Epik momenti kur thotë: ‘kjo më ka lënduar’ 🤣 Përfundimisht je nona show-it Edo.”
Një tjetër koment nga 1995_equals666 e bën edhe më të qartë dyshimin publik: “A ti ja paske shkrujt fjalimin 👏😂.”
Në një koment të spikatur, Robert.berti.1 pyet me sarkazëm: “Ke do fusim në burg nëse korrupsioni do vazhdojë?”, duke vënë në lojë idenë që një AI mund të zgjidhë problemet e korrupsionit.
Talljet u shtrinë edhe te pamja e Diellës, me një komentues që shkruan: “Ç’a e ka këtë veshje kjo si çobanesh delesh!”, ndërsa të tjerë nuk e kursejnë humorin mbi gjuhën emocionale që ajo përdori gjatë fjalimit.
Kritikat nuk ishin vetëm me humor, por u kthyen në pyetje serioze mbi funksionimin dhe ligjshmërinë e këtij eksperimenti politik.
Orghespizzachef ngre një shqetësim kushtetues: “Një ministër që nuk firmos dhe nuk jep shenja të gishtave për identitetin nuk mund të marrë karrike shteti, sepse nuk betohet dot as mbi Bibël e as para Presidentit.”
Theoldman1009 pyet: “Po pse vetëm ministër AI dhe jo kryeministër AI? Po përgjegjësinë penale si do e ketë Diella?”
Alba.nick_07 shpreh shqetësimin mbi tenderat publikë: “Cilët do jenë parametrat që ajo do zgjedhë kujt t’ia japë tenderin? A do ketë mundësi që të modifikohen kriteret që Diella kërkon? Nevojitet një kontroll nga njerëzit që të jenë të paanshëm.”
Këto komente tregojnë frikën se sistemi i ri mund të përdoret për të centralizuar më shumë pushtet, në vend që të sjellë transparencë dhe barazi.
Megjithëse shumica e komenteve ishin kritike ose ironike, pati edhe pak ndjekës që e panë Diellën si një hap modernizues dhe guximtar.
Egli H…. shkruan: “Është një zgjidhje gjeniale! Gjithë bota ka folur për të 👏.”
Të tjerë, mbështetës të Ramës, reaguan me emoji duartrokitjeje dhe flamuj, duke e interpretuar këtë si një hap drejt digjitalizimit të administratës dhe integrimit europian. Por këto zëra ishin dukshëm të zbehtë në raport me valën e kritikave dhe humorit, që dominoi reagimet.
Në shumë komente ngrihet një pyetje thelbësore, se kush do të mbajë përgjegjësi nëse diçka shkon keq?
Nga tenderat publikë te lufta kundër korrupsionit, shumë qytetarë janë të shqetësuar se një sistem i drejtuar nga AI, por në kontroll të qeverisë, mund të bëhet një mjet për abuzim të ri. Për më tepër, që kontrollin e Diellës e ka marrë përsipër vetë Edi Rama.
Disa komentues e lidhin këtë me frikën se vendimet e Diellës nuk do të kenë asnjë mekanizëm llogaridhënieje.
Për shumëkënd, fjalimi i Diellës ishte një provokim politik që shërbeu për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale.
Komentet në Instagram tregojnë se opinioni publik nuk po mban më nga “shpikjet” e Ramës, në një kohë kur miliona euro vidhen përditë nga tenderat publikë, korrupsioni apo rryshfeti që kanë prekur çdo degë të qeverisjes apo shërbimeve.
Ajo që ndjekësit po ia thonë më qartë se kundështarët Edi Ramës, është e kjo: Teknologjia nuk mund të zëvendësojë as përgjegjësitë dhe as besimin që u mungon qytetarëve të këtij vendi tek klasa politike, në veçanti tek qeveria. /Zoom.al








