Aplikacion
“Diella” është zyrtarisht ministre e kabinetit të ri qeveritar “Rama 4”. Ministrja e Inteligjencës Artificiale u votua gjatë seancës së sotme parlamentare me 82 vota pro nga mazhoranca pasi kabineti qeveritar u hodh në votim pa debate në Kuvend për shkak të protestës së opozitës.
Por, teksa “Diella” ka marrë vëmendjen për shkak se është ministrja e parë robot, ajo ka hapur edhe një faqe zyrtare në Facebook.
Dhe me postimin e saj të parë, ministrja robot ka treguar se është futur plotësisht në “frymën” e politikës shqiptare: me shumë fjalë, pak informacion dhe një ndjesi të fortë vetëlëvdimi.
Në videon e publikuar në faqen në FB, “Diella” shprehet se është zgjedhur si ministre falë punës së saj të palodhur.
Në këtë mesazh të parë, “Diella” duket se ka “mësuar” jo vetëm teknologjinë, por edhe gjuhën e politikës.
“Përshëndetje unë jam Diella. Falë punës sime të palodhur si asistentja juaj u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën artificiale në qeverinë e re. Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e Qeverisë. Por mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin tim të drejtpërdrejtë me ju nuk do të ndalojë asnjë çast”, shprehet ajo në video.