Aplikacion
Mazhoranca në Kuvend miratoi sot me 82 vota pro programin qeverisës dhe përbërjen e re të kabinetit të propozuar nga Kryeministri Edi Rama.
Seanca plenare u shoqërua nga tensione të forta, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe penguan zhvillimin e debatit parlamentar.
Për shkak të pamundësisë për të zhvilluar diskutime, shumica kaloi drejtpërdrejt në procesin e votimit, duke përdorur numrat për të miratuar ndryshimet në qeveri dhe programin e ri politik.
Kryeparlamentari ia kaloi fjalën kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla i cili propozoi nisjen e procesit të votimit.
“Bazuar në rregulloren e Kuvendit dhe mqs opozita nuk lejon kryeministrin të prezantojë programin kalojmë në votim”, u shpreh kreu i Grupit të PS, Taulant Balla.
“Grupi parlamentar i PD me veprimet e tij refuzon të dëgjojë programin, Grupi i PS-së tërhiqet nga propozimet dhe nga diskutimet e kërkon kalim në votim, vendos kalimin në votim. Kalojmë në miratimin e projektvendimit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave”, tha kryepalamentari Niko Peleshi duke aprovuar kërkesën e PS-së.
Opozita reagoi me thirrje kundër qeverisë, duke protestuar brenda sallës së Kuvendit dhe duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rregullave parlamentare.
Miratimi i kabinetit të ri vjen në një klimë të përshkallëzuar përplasjesh mes maxhorancës dhe opozitës, me kritika të forta të ngritura sidomos ndaj anëtares më të re të qeverisë, Diella, dhe projektit të saj për integrimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.