zoom

Aktualitet

Sëmuret “Diella”, mungon në punë dhe në betimin e “kolegëve” në presidencë. E-Albania në kolaps

Sëmuret “Diella”, mungon në punë dhe në betimin e “kolegëve” në presidencë. E-Albania në kolaps

Ndërsa qeveria e re e socialistëve po betohej në presidencë, një nga ministrat e kabinetit nuk është ndjerë mirë.

Nuk do ta besoni, por bëhet fjalë për ministren me Inteligjencë Artificiale, “Diella”. Ajo jo vetëm paska ndjenja, siç u shpreh një ditë më parë në parlament, por edhe e zënkan sëmundjet.

Burime të Zoom.al nga qeveria “Rama 4” bënë me dije se “Diella” ka pasur probleme sot dhe platforma E-Albania që ajo administron nuk ka punuar.

Po ashtu, ajo nuk u paraqit në presidencë kur shefi dhe kolegët e saj bënë betimin para Kreut të Shtetit. Nuk dihet ende nëse ka marrë ndonjë virus apo ndonjë kolpo tensioni, por e sigurt është që ajo s’ka qenë funksionale.

Gjatë mëngjesit të 19 shtatorit, plaforma e-albania ishte e paaksesueshme për qytetarët, orar që ironikishit, përkoi me kohën kur “Diella” duhet të ishte në Presidencë teksa Edi Rama u betua edhe si “mëkëmbës dhe mbikqyrës” i saj.

Dita e sotme tregoi se “Diella” nuk është më mirë se ministrat e vdekshëm, edhe pse nuk është e përbërë nga mishi dhe kromozomet. Ka të ngjarë që prej sot e tutje ajo s’merr komanda të tjera nga askush përveç shefit të saj, Edi Rama.

Me funksionet e reja që ka marrë zyrtarisht prej sot, kushedi sa herë do lëndohet e sa vetë do të lëndojë. / Zoom.al

Postime të lidhura