Aplikacion
Në dhjetor të vitit 2021, në kulmin e skandalit të publikimit të listës së pagave të sektorit publik dhe privat, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj doli para mediave me një premtim të madh.
Ajo u tha shqiptarëve të shqetësuar se do të fuste teknologjinë “Blockchain” për të siguruar që e-Albania dhe sistemet e tjera digjitale të shtetit të bëheshin të pandryshueshme, të siguruara dhe të verifikueshme nga kushdo. Karçanaj u zotua se blockchain do të përdorej fillimisht në sistemin e pronave, duke parandaluar ndërhyrjet arbitrare dhe korrupsionin në të dhëna.
“Platforma mirëmbahet nga Microsoft duke mundësuar një siguri të plotë të informacionit aty. Kryefjala jonë në të ardhmen është “BlockChain”, të cilin do ta përdorim për sistemin e pronave, duke i bërë ato të pandryshueshme edhe nga personat e Kadastrës, por edhe nga sulme mbi sistemin. Kemi kaluar nga 6 regjistra që flisnin mbi njëri tjetrin në 30 të tilla dhe po vijojmë dhe me të tjerë” – deklaroi drejtoresha e AKSHI-t.
Ky ishte një premtim që krijoi pritshmëri të larta, një garanci se qytetarët do t’i kishin të dhënat personale të sigurta dhe se sistemet shtetërore nuk do të binin më pre e hakerave ndërkombëtarë.
Sot, katër vjet më vonë, “blockchain” jo vetëm që nuk është implementuar, por është zhdukur nga fjalori i qeverisë.
Asnjë platformë shtetërore nuk funksionon mbi këtë teknologji, as e-Albania, që është zemra e shërbimeve digjitale. Në vend të këtij sistemi të avancuar që ofron siguri dhe qëndrueshmëri, shqiptarët vazhdojnë të përballen me ndërprerje të shërbimeve të platformës.
Çfarë është Blockchain dhe pse është jetik për shtetin digjital
Në shumë vende të BE-së, “blockchain” është tashmë pjesë e projekteve qeveritare për të rritur besimin e qytetarëve në digjitalizim. Shqipëria e ka përmendur këtë teknologji vetëm në dokumente strategjike, por nuk e ka implementuar realisht.
Paradoksalisht, kur qeveria s’ka mundur ende të zbatojë një projekt kaq themelor, ajo e mbushi botën mbarë me lajmin se ka arritur të ketë të parin ministër me Inteligjencë Artificiale, “Diellën”.
“Diella” po shitet si revolucion digjital, por në kushtet kur AKSHI nuk arrin të sigurojë garancitë themelore për sistemet digjitale, ministrja me “IA” mbetet vetëm një imazh marketingu, si një algoritëm që vetëm lexon dhe përsërit të dhëna të përgatitura nga njerëzit, pa ndonjë autonomi reale apo fuqi për të marrë vendime.
Është ironike se si mundet një qeveri të flasë për “IA” në administratë, kur ajo nuk ka qenë në gjendje të realizojë një premtim bazik si blockchain, një teknologji që është standard në shumë vende të botës që prej një dekade?
Dështimi i vendosjes në punë të teknologjisë “blockchain” është një tregues se digjitalizimi në Shqipëri është më shumë propagandë sesa reformë reale.
Mungesa e blockchain do të thotë se të dhënat e qytetarëve mbeten të pambrojtura dhe të ekspozuara ndaj abuzimeve dhe se mungon transparenca teknologjike çka e bën korrupsionin digjital më të sofistikuar dhe të padukshëm. Ekspertët e “IT” thonë se “blockchain”, nuk ka as bazë teknologjike dhe as të ardhme reale për e-Albania apo për vetë “Diellën”. /Zoom.al