Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot se opozita do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dy çështje: dekretin e Presidentit për emërimin e ministres së Inteligjencës Artificiale, Diella dhe vendimin e Kuvendit për ndryshimet në rregullore.
Pas braktisjes së seancës plenare, Berisha e cilësoi dekretimin e Diellës si “akt të pashembullt”, duke akuzuar Presidentin se “ka firmosur si skllav i Edi Ramës një ministre virtuale, inekzistente”. Sipas tij, ky veprim cenon rëndë Kushtetutën.
Në të njëjtën kohë, ai kundërshtoi edhe ndryshimet e miratuara nga mazhoranca me 79 vota pro, ku numri i komisioneve parlamentare kaloi nga 8 në 11. Berisha tha se procedura është bërë në shkelje të afateve kushtetuese dhe se synon t’i heqë opozitës Komisionin e Integrimit.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që zëri i opozitës të dëgjohet në vend dhe në Bruksel”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se vendimet do të kundërshtohen në Gjykatën Kushtetuese.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Unë mendoj se të dy aktet që bënë, aktin e pashembullt të presidentit të Republikës i cili dekreton ministër virtual, inekzistent duke fyer Kushtetutën, vendin dhe presidentin. Dhe e bën si një skllav i Edi Ramës, që është i implikuar gjer në palcë në vjedhjen dhe shpërdorimin e pronave të ushtrisë dhe detyrohet të firmosë çdo gjë që i çon Edi Rama. Akt i pashembullt.
Imagjinoni ju, e bëri zhurmën, por zhurma po i kthehet në bumerang se, Edi Rama për të mbuluar se po krijon kabinetin e votës së rrëmbyer, të farsës elektorale, nxorri Diellën. Por Diella po i bëhet sterr dhe do i bëhet.
Unë mendoj se, duhet ta nisim urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese që të arkivohet në banesën e turpit të historisë.
Njerëz të papërgjegjshëm për detyrën që kanë, të aftë të firmosin gjithçka. Nuk ndodh, çfarë të thuash. Nuk besoj se ndonjë diktator tjetër të kishte këtë fuqi asgjësuese për kreun e shtetit.
Sikundër ne duhet të dërgojmë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën dhe për pezullimin e vendimit të sotëm të miratimit të ndryshimeve të rregullores në të cilën janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, janë shkelur nenet e saj, germa dhe fryma e saj, është shkelur rregullorja e parlamentit.
Kushtetuta dhe rregullorja në sintoni të plotë parashikojnë si rrugë të vetme të ndryshimit të Rregullores së Kuvendit, afatin 1 javor, minimal.
Dhe këta e bënë në një afat 1 ditor. Përveç kësaj, Kushtetuta përcakton se asnjë nen, asnjë ligj me efekte financiare nuk mund të votohet pa u miratuar paraprakisht në Këshillin e Ministrave. Kalimi nga 8 në 11 komisione padiskutim që shton shpenzimet për taksëpaguesit shqiptar dhe është krejtësisht i panevojshëm kishte vetëm një qëllim, vetëm një qëllim që ti hiqej opozitës Komisioni i Integrimit.
Integrimi është një proces kompleks, i gjerë, që përfshin të gjitha fushat dhe natyrisht këta janë vite drite larg plotësimit të kritereve në çdo fushë, dhe këtu ata nuk mund të kishin të ja linin opozitës të thoshte të vërtetat, qoftë Brukselit, qoftë komunitetit ndërkombëtar. Por ne do të bëjmë çdo gjë që, zëri ynë të dëgjohet./ Zoom.al