Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka mohuar të jetë “Kumbari” i Shqipërisë pas javësh protestash kundër korrupsionit në vend, të nxitura nga projekti për ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e Donald Trump.
I ashtuquajturi Revolucioni i Flamingove u nxit nga zemërimi publik për projektin e planifikuar prej 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, një rezervat natyror i njohur për flamingot e tij. Protestuesit i kanë bërë thirrje Ramës të japë dorëheqjen dhe të ndiqet penalisht për korrupsion sistemik, që u lejon investitorëve ndërkombëtarë të ndërtojnë në tokë të mbrojtur.
“Njerëzit thonë se unë jam Kumbari i të gjithë kësaj. Unë u them atyre të shkojnë në djall. Kaq e thjeshtë,” tha ai. “Nuk është puna ime të provoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të provojnë se jam Kumbari.”
Prokuroria e Posame Anti-Korrupsion (SPAK) ka lëshuar urdhër-arreste për dhjetëra biznesmenë të akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Mes tyre është edhe biznesmeni Artur Shehu, i cili më parë kishte në pronësi tokën në zonën ku do të zhvillohet projekti nga Kushner dhe gruaja e tij, Ivanka Trump.
Një zëdhënës i Kushner dhe partnerëve të tij të tjerë në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama këmbënguli se investimet e Kushner ishin të ndershme dhe se nuk kishin lidhje me hetimin në vazhdim ndaj ish-pronarit të tokës.
“Të thuash se ekonomia shqiptare është bazuar në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme,” i tha Rama FT në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar çdo natë për më shumë se tre javë.
“Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh,” shtoi ai. “Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Po. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në një pjesë të madhe pastrim parash? Jo.”
Prokurorët shqiptarë të anti-korrupsionit kanë lëshuar urdhër-arreste për 20 biznesmenë që ata thanë se ishin të përfshirë në kontrabandën ndërkombëtare të drogës dhe pastrimin e parave. Miliarda euro dyshohet se janë kanalizuar në projekte të mëdha ndërtimi përgjatë bregdetit Adriatik dhe në kryeqytetin shqiptar.
Midis biznesmenëve është Artur Shehu, me shtetësi të dyfishtë, amerikano-shqiptar që jeton në Miami. Shehu në vitin 2025 shiti tokë pranë rezervatit natyror ku folezojnë flamingot te Albania Land Development, një kompani e lidhur me projektin Kushner. Kjo marrëveshje u vu nën shqyrtim nga prokurorët e anti-korrupsionit, të cilët ngrinë pagesa me vlerë 128 milionë euro në pritje të hetimit. Biznesmeni nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama argumentoi se qeveria e tij i lejoi prokurorët të ndiqnin çështjet në mënyrë më agresive, gjë që gjithashtu rriti perceptimin se vendi ishte plot me korrupsion dhe krim të organizuar. “Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe është shumë më pak e korruptuar sot sesa ishte.”
Ai përsëriti akuzat se protestat ishin nxitur nga armiqtë e presidentit të SHBA-së, përfshirë Iranin.
“Ka shumë interes për të shkatërruar këtë projekt… për shkak të Trump,” tha ai. “Nëse nuk do të ishte Jared Kushner… askush nuk do të interesohej për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë urrejtja kundër Trump që krijon të gjithë këtë shqyrtim.”
Ai tha se ishte i bindur se planet e zhvillimit bregdetar do të vazhdonin pavarësisht protestave. “Gjëja e rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë [të përfshirë në] pastrim parash”, tha Rama. “Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë.”
Përkthyer nga The Financial Time