zoom

In Zoom

Ekskluzive/ Si e çmontoi Edi Rama “kryengritjen” e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës

Ekskluzive/ Si e çmontoi Edi Rama “kryengritjen” e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës

Edi Rama tregoi sërish se, përtej pushtetit formal, kontrolli real qëndron në dorën e tij dhe se loja e shahut politik nuk toleron asnjë figurë që ngre kokë kundër udhëheqësit. 

Nga Zoom.al

Ditën kur prangat e SPAK-ut u mbyllën mbi kyçet e tij, Erion Veliaj doli me një plan nga Bashkia. 

Para se të hipte në makinën e BKH-së që do ta çonte drejt qelisë, ai kërkoi 20 minuta kohë. Agjentët e pritën në paradhomë, ndërsa ai brenda zyrës së tij thirri njerëzit më të besuuar: Sekretarin e Përgjithshëm Alban Dokushi, nënkryetaret Anuela Ristani e Sara Goxhaj, drejtorin e Policisë Bashkiake Toni Beni dhe një rreth të ngushtë të besuarish të cilëve u la një porosi: 

“Lëreni Tiranën të papastruar. Këtu duhet të shihet që mungesa e kryetarit pengon punët e Bashkisë”. 

Burime të Zoom.al thanë se Veliaj kishte planifikuar që lënia e Tiranës pa drejtuesi të kthehej në krizë të funksionimit të bashkisë, një përpjekje për të treguar se kryeqyteti nuk ecën pa të.

Por ky plan u zbulua shpejt. Një prej drejtuesve të Bashkisë, i shqetësuar nga kjo strategji, njoftoi direkt Edi Ramën. Dhe Rama, i vetëdijshëm se një Tiranë në kolaps në prag të zgjedhjeve do të thoshte dëm elektoral i pallogaritshëm, reagoi me shpejtësi.

Pak orë pas arrestimit të Veliajt kryeministri u shfaq vetë në dyert e Bashkisë së Tiranës. Mblodhi stafin dhe komunikoi prerë: “Çdo punë do të vazhdojë. Askush nuk do të ndalë ritmin për shkak të mungesës së kryetarit.” Ai komandoi në detyrë Anuela Ristanin, i kërkoi komunikim të përditshëm me të dhe i garantoi mbështetje të plotë.

Për disa ditë rresht, Rama shkonte vetë në Bashki, madje edhe dy herë në ditë, për të shuar çdo zjarr të brendshëm dhe për të mos lejuar që skema e Veliajt të funksiononte. Të gjitha urdhrat ishin të qarta: shërbimet të funksiononin, qyteti të mos ndjente asgjë nga mungesa e Veliajt.

Kur Erion Veliaj e kuptoi që Anuela Ristani i kishte dale nga radha, e shkarkoi pa hezitim. Nga qelia ai firmosi një urdhër: shkarkimin e Ristanit dhe komandimin e Sara Goxhajt si drejtuesen e re të Bashkisë. Por Edi Rama ishte një hap para. Në momentin që Ristani e njoftoi se i kishte ardhur një urdhër për shkarkim, edhe pse në orë të vona, kryeministri zbriti shkallët e zyrës së tij dhe u nis për në Bashki. Thirri në zyrë Alban Dokushin, që kishte protokolluar urdhrin, bashkë me Sara Goxhajn dhe vetë Ristanin.

“Grise urdhrin,” – i kërkoi Rama Dokushit, sipas një burimi të besuar të Zoom.al.

Por Dokushi refuzoi. “Unë njoh ende për kryetar Erion Veliajn. Nuk ka akt shkarkimi ndaj tij,” u shpreh ai me një logjikë të ftohtë juridike. Rama nuk këmbënguli, sepse ai nuk e kishte shkarkuar Veliaj “de jure” nga Bashkia. I tha Dokushit ta linte shkresën mbi tavolinë. Më pas, sipas një burimi të brendshëm për Zoom.al, e mori dhe e grisi, por Zoom.al nuk ka mundur ta verifikojë këtë detaj nga burime të tjera. Ajo që dihet është se Erion Veliaj u tërhoq nga vendimi që kishte firmosur vetë. 

Bëri një postim në Facebook, që më shumë se shpjegim, ishte një pranim i humbjes dhe një mesazh ndaj të besuarve të tij se plani kishte rënë.

“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur ‘punon’ pa informacionin e mjaftueshëm” – tha Veliaj kur plani i tij u çmontua tërësisht. 

Pas kësaj, Tirana nisi të pastrohej dhe në grupet e punonjësve të pastrimit kishte më shumë punëtorë sesa fotografë, ndryshe nga koha e Veliajt. Policia bashkiake rifilloi kontrollet në terren si më pare. Edi Rama nuk pati më nevojë të shfaqej në Bashki. Loja e pushtetit ishte mbyllur. Ai tani e kishte konsoliduar pushtetin edhe në bashki dhe kishte forcuar pozitat e njeriut të tij të besuar aty. 

Drejtuesit e emëruar nga Veliaj ishin të gjithë ose të shkarkuar, ose në pranga, të hetuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Kështu, Edi Rama mund të vijonte i qetë fushatën, pasi kishte shuar një vatër zjarri, e cila, nëse do të kishte shpërthyer, do të kishte sjellë kosto të paparashikueshme. 

Edi Rama tregoi sërish se, përtej pushtetit formal, kontrolli real qëndron në dorën e tij dhe se loja e shahut politik nuk toleron asnjë figurë që ngre kokë kundër udhëheqësit. Ai i tregoi edhe Veliajt se Tirana mund të funksinojë edhe pa të. Pas kësaj, Rama nuk bëri më betejë kundër SPAK-ut për të mbrojtur Veliajn. Madje, nuk ia përmendi më kurrë emrin Veliajt. /Zoom.al

Postime të lidhura