Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat se ka ndikuar në shpalljen “non-grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Ai i cilësoi si “budallallëqe” pretendimet se ka bashkëpunuar me George Soros për të ndikuar vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Rama u shpreh se është absurde të besohet që një kryeministër i Shqipërisë, apo edhe një figurë më e fuqishme botërore, mund të ndikojë politikat e SHBA-së përmes ndërhyrjeve apo lobimit.
“Amerika nuk blihet me para. Nëse do të funksiononte kështu, SHBA nuk do të ishte superfuqi,” deklaroi Rama, duke shtuar se vetë Berisha “e di shumë mirë” arsyen e shpalljes non-grata, por po mban gjallë një narrativë për të shmangur përgjegjësinë.
Kryeministri komentoi gjithashtu shumat e mëdha të përdorura nga Partia Demokratike për lobim në SHBA, duke vënë në dukje se 6 milionë dollarët e paguar janë një kontratë që mund të kthehet në “bumerang” edhe në vetë Amerikën.
“Lulit për 500 mijë euro iu bë nami. Tani 6 milionë? Çfarë do të thotë kjo? Po Sorosi, po McGonigal… janë thjesht histori për të hequr vëmendjen nga e vërteta,” tha Rama.
I pyetur për diferencën mes lobimit të tij dhe atij të opozitës, Rama theksoi se gjithçka varet nga transparenca dhe mënyra se si kryhen këto marrëdhënie, ndërsa vuri në dyshim qëllimet dhe përmbajtjen e kontratës lobuese të PD-së.