zoom

Lajme

Parandjenjë për humbje? Edi Rama hyn në histori si i pari kryeministër në botë që bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve

Parandjenjë për humbje? Edi Rama hyn në histori si i pari kryeministër në botë që bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve

Sot, i vetëkënaqur me pushtetin dhe i rrethuar nga një sistem i centralizuar besnikësh, Edi Rama nuk sheh më vlerë te pjesëmarrja popullore në zgjedhje, por rrezik nga ajo. Ai e di se një valë e madhe votuesish do të shënonte fundin e tij politik.

Nga Zoom.al

Edi Rama po ndërton prej vitesh një kult të vetëvetes si burrë shteti me një mision historik. Ai e shfaq veten si artistin që po rindërton Shqipërinë, si arkitektin e rrugës drejt Europës, si sozinë e Ismail Qemalit. Ndërsa idhtarët e shesin atë në publik e kafene si Skënderbeun e Shqipërisë moderne. 

Por ndërsa e imagjinon emrin e vet në tekstet e historisë, ai në histori mund të hyjë për një tjetër arritje. 

Në këtë fushatë elektorale, Edi Rama u bë i vetmi kryeministër në botë që ka bërë thirrje publike për qytetarët që të mos marrin pjesë në votime. Kjo ndodhi gjatë një takimi elektoral në Shkodër, ku ai u kërkoi demokratëve të kësaj zone të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos votojnë të dielën e 11 majit, duke përdorur një gjuhë përçmuese ndaj kandidatit të opozitës, Luçiano Boçi. 

“Erdhi këtu Luciano fake Pavarotti dhe drejton grupin dhe ça do të bëjë? Shkodrën madhështore me Luçiano fake Pavarottin nga Elbasani? Si bëhet kjo? Nuk e di. Shpresoj që demokratët e Shkodrës të dielën të rrinë në shtëpi të dëgjojën Pavarottin e vërtetë dhe të mos shkojnë fare me votuar. Për të mos iu ardhur turp nga vetja se nesër këtë pasaportën evropiane do t’ua japim ne, siç po ua japim shkodrën mbrapasht, që ua mori bufi, që mbeti e fundit për turp dhe që njëherë i besuam këtij budallait këtu”, deklaroi Rama.

Për këtë thirrje Edi Rama edhe mund ta shohë emrin në librat e historisë, por me shumë gjasë, si rast për t’u analizuar. 

Thirrja e tij është e pazakontë dhe bie ndesh me praktikat demokratike dhe kushetetuse. Bojkotet zakonisht janë organizuar nga opozita si formë proteste ndaj padrejtësive të pushtetit, por kurrë nga qeveria. Liderët politikë politikë zakonisht e inkurajojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, si një element thelbësor i demokracisë. Ata janë të parët që shfaqen duke mbrojtur frymën dhe thelbin e procesit zgjedhor, që është pjesëmarrja, e cila, duke pasur rëndësi të veçantë, në shumë vende është e sanksionuar me detyrim. 

Në mënyrë të përsëritur, në këtë fushatë, Edi Rama ka përdorur një fjalor përçmues, indimidues dhe përjashtues për këdo që nuk është pjesë e “shpurës” së tij politike dhe nuk voton për ta mbajtur atë në pushtet për 16 vjet me radhë.

Vetëm për hir të pushtetit, ai ka arritur të vendosë një vijë ndarëse të rrezikshme me thirrjet “kush voton opozitën voton kundër BE”, njësoj si në zgjedhjet e Frontit Demokratik të dhjetorit 1945, që shënuan fillimin e diktaturës së Enver Hoxhës, pasi votuesve u kërkohej të votonin në kutinë e kuqe dhe jo në në të zezën që “identifikonte” armiqtë e Shqipërisë. 

Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama përçmon procesin zgjedhor. Por kjo është padyshim hera e parë që ai përpiqet të ndikojë në uljen e pjesëmarrjes së votuesve, kryesisht të opozitës, duke e trajtuar kështu qytetarin jo si sovran, por si spektator të një shfaqje politike ku ai bën skenarin. 

Pushteti i Edi Ramës ka qenë nën akuzë prej vitit 2015, se ka intimiduar votuesit e opozitës, se bandat u kanë mbledhur atyre kartat e identitetit për të mos i lënë të votojnë, se i kanë penguar me presion e dhunë, se i kanë blerë me para e vende pune. Teksa kjo strategji duket se ka rënë pasi SPAK është ngritur në këmbë duke hapur zyra në çdo qark, Edi Ramës i ka mbetur vetëm fjala për të penguar opozitarët të votojnë. 

Thirrja për bojkot nga një kryeministër në detyrë nuk është një gafë retorike, si përdorimi i fjalëve “çyrik, autik, i verbër etj”. Por ajo përbën një akt politik të rrezikshëm dhe një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në mënyrë jo demokratike. Ajo është pa mëdyshje një precedent i rrezikshëm për proceset zgjedhore në Shqipëri., pasi dëmton besimin në procesin demokratik dhe normalizon idenë se vota është opsionale dhe jo një detyrim qytetar. 

Edi Rama zhbën në këtë mënyrë çdo përpjekje të institucioneve për të rritur ndërgjegjësimin qytetar për të marrë pjesë në votime. KQZ, si organizator i zgjedhjeve, ka shpenzuar miliona euro për të ndërgjegjësuar qytetarët të votojnë dhe për t’u treguar si votojnë apo për t’u mundësuar të votojnë, si në rastin e votës së diasporës. 

Ironikisht, vetë Edi Rama ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi thirrjet për pjesëmarrje, mbi retorikën e ndëshkimit me votë dhe “revolucionin” popullor në kutitë e votimit. Por sot, i vetëkënaqur me pushtetin dhe i rrethuar nga një sistem i centralizuar besnikësh, ai nuk sheh më vlerë te pjesëmarrja popullore në zgjedhje, por rrezik nga ajo. Ai e di se një valë e madhe votuesish do të shënonte fundin e tij politik. /Zoom.al


Postime të lidhura