Aplikacion
Blendi Fevziu e pyeti kryeministrin Edi Rama fare thjesht nëse Erion Veliaj do të vijojë të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai u arrestua më 10 shkurt për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie.
Përgjigjja e Edi Ramës nuk qe ajo e kohës kur Veliajt iu vunë prangat. Koha ia ka ndryshuar qëndrimin. “Nuk e di. Kam kërkuar të shoh një sërë opinionesh. Jo një, por disa opinione, për të kuptuar se si duhet trajtuar kjo”, – u shpreh Rama nga kopështi luksoz 4 milionë eurosh që ndërtuar brenda selisë së Kryeministrisë.
Opinioni pubik po përpiqet të kuptojë se ccfarë fsheh Rama pas këtij qëndrimi, me anë të të cilit, në njërën anë ai krijon një paqartësi të qëllimshme dhe nga ana tjetër tregon se sido që të jetë, fati i Erion Veliajt varet ende në duart e tij.
Rama e përsëriti disa herë shprehjen “nuk e di”, duke lënë të kuptohet se nuk është ende koha që ai të shprehet pro zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë e Tiranës dhe as pro vazhdimit të mandatit nga Velaij. Nëpërmjet këtij qëndrimi ai tregon se ka nevojë për më shumë kohë për të vendosur, si duke parë ecurinë e procesit gjyqsor aq edhe duke parë reagimin e publikut dhe balancat brenda Partisë Socialiste, ku Veliajt i kanë mbetur ende disa mbështetës.
Kërkimi i opinioneve, është gjetja më interesante në këtë dyzim të kryeministrit, që pak muaj më parë ishte i vendosur për të mos e prekur Veliajn, duke u treguar qytetarëve se ai mbetej në mënyrë të palëkundur për vazhdimin e mandatit në krye të bashkisë.
Duke treguar se është vënë në kërkim të opinioneve, të cilat mund të jenë juridike dhe politike, Edi Rama po e kalon përgjegjësinë tek ekspertët dhe jo tek vendimmarrja politike, e cila i takon vetëm atij.
Me këtë qëndrim të ri, Edi Rama tregoi se nuk po e mbron publikisht Erion Veliajn në këtë moment kritik për procesin e tij gjyqësor.
Në këtë mënyrë ai la të kuptohet se marrëdhëniet mes tyre janë në pikën më të ulët dhe se Edi Rama po mendon realisht për një figurë tjetër në Bashkinë e Tiranës. Por nga ana tjetër, kjo deklaratë mund të jetë edhe një sinjal për Veliajn, për t’i treguar se fati i tij politik varët nga kryeministri, një formë presioni që vjen pas postimit të bujshëm të Veliajt në rrjetet sociale, ku paralajmëronte se po të fliste, dikush do të bëhej “lajm i fundit”.
Edi Rama ia bëri të qartë më shumë se kujtdo Erion Veliajt se i ka në dorë të ardhmen politike. Por ky qe një mesazh edhe për të tjerët brenda Partisë Socialiste, në prag të zgjedhjes së ministrave të qeverisë së re, për t’u treguar se për fatin e tyre vendos vetëm ai dhe vetëm opinionet që ai mbledh ku të dëshirojë dhe jo forumet e Partisë apo institucionet nga ku do të duhet të dilte vendimmarrja. /Zoom.al