zoom

Lajme

Përgjimet në qeli/ Veliaj i shqetësuar për përplasjen e Etjen Xhafajt me Ramën

Përgjimet në qeli/ Veliaj i shqetësuar për përplasjen e Etjen Xhafajt me Ramën

Përgjimet në qelinë e Erion Veliajt, në burgun e Durrësit nxjerrin në dritë prapaskenat e një strategjie të mirëorganizuar për të menaxhuar në publik arrestimin e Erion Veliajt.

Mes personazheve të përgojuar nga Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij rezulton edhe deputeti socialist Etjen Xhafaj, i cili ka tërhequr vëmendjen për qëndrimin e tij në mbrojtje të Veliajt.


Në bisedat e përgjuara, që disponon SPAK, Veliaj zbulon një rrjet të gjerë komunikimi dhe koordinimi strategjik që përfshin bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, vëllain Arbër Veliaj, si dhe një figurë kyçe të quajtur “Redaktori”, deri tani i pazbuluar.
Mbrëmjen e 2 marsit, rreth orës 19:52, Veliaj i telefonon Ajolës për të kuptuar më shumë mbi tensionet mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Etjen Xhafaj, pas një mesazhi që Rama dërgoi në grupin Whatsapp të grupit parlamentar të PS, ku kryeministri shfaqte shqetësim dhe pakënaqësi në lidhje me mbrojtjen që i kishte bërë Etjen Xhafaj, Velajt, në një studio teleizive. “Erjoni nuk mbrohet sikur je në kafe” – shkruante Rama veç të tjerash, duke vënë theksin te fakti se SPAK nuk mund të sulmohej nga të gjithë.


Veliaj i kërkon Ajolës të hulumtojë situatën dhe i thotë se kjo gjë duhet t’u bëhet e ditur edhe vëllait Arbërit dhe Endri Fugës. Në orën 20:16, Ajola i konfirmon se Etjen Xhafaj ka dalë në një emision televiziv ku ka shprehur publikisht mbështetje për Erionin, duke ruajtur një qëndrim personal pro tij.
Gjatë komunikimit ndërmjet tyre, Erioni i tregon se Arbëri i ka sugjeruar atij që të mos shkojë në seancën e të martës në GJKKO dhe i kërkon që të bisedojë me njerëzit pranë saj, pasi Erioni i thotë se i intereson që të vazhdojë debatin me prokurorin Ols Dado dhe me gjyqtarin Erion Bani.


Veliaj i kërkon po ashtu që të bisedojë me Maznikun ose me Fugën që këta të pyesin Redaktorin dhe t’i japin një ide nëse duhet ta bëjë betejën, duke qenë se seanca regjistrohet. Erioni i tregon se “ata” janë përgatitur për një seancë gjyqësore 30 minuta nëse do të jetë vetëm Ermiri si avokat, dhe nëse do të shkojë vetë në seancë, do t’i mbajë 3 orë me një fjalim pa fund për të gjitha gjërat.


Përgjimet tregojnë përpjekjet e Veliajt për të mbajtur nën kontroll narrativën publike, duke kërkuar gjithashtu që të përfshihen figura mediatike dhe përfaqësues të besimeve fetare për të ndërtuar një imazh mbështetjeje të gjerë ndaj tij.
Bisedë me Arbër Veliaj:

Erion: “A të duket mirë të shkoj në seancë të martën? Apo do duket si shfaqje?”
Arbër: “Jo, mos shko. Këshillohu edhe me Redaktorin. Mund të interpretohet keq.”
Erion: “Do e mendoj me të tjerët. Nuk dua të dukem që po kërkoj vëmendje.”

Bisedë me Ajola Xoxën:

Erion: “Çfarë po ndodh me përplasjen mes Etjen Xhafajt dhe KM-së?”
Ajola: “Kam marrë vesh që ka tension, po s’di detaje.”
Erion: “Merr vesh dhe fol me Redaktorin për të martën.”

Ora 20:08 – Ndërhyrje e Arbrit në bisedë me Ajolën:

Erion: “Fol me Klevisin e Burgjeve. Mund të vijë Mero, Ylli Manjani, Mondi, Ton Gogu, Sara, këdo dua të takoj. Jepini emrat, le të aprovojë.”
Arbër: “E rregulloj. Do i them Admirit për numrin.”

Vijim i bisedës:

Erion: “Kam porosi për ta. Mund të vinë edhe përfaqësues të feve, veç t’i njoftojnë.”
Arbër: “Çdo ditë po merremi. Mos ki merak.”

Erion për Arbrin:
“Merre me median. Presioni duhet të mbahet. Nuk mund të lëshojmë javën e fundit.”

Në këtë faqe të përgjimeve zbulohet një realitet i qartë: Veliaj, edhe i ndaluar, vazhdon të veprojë si një aktor politik që kërkon të kontrollojë perceptimin publik. Konsultimet e vazhdueshme me “Redaktorin”, aktivizimi i figurave publike, fetare e mediatike, dhe strategjia e kujdesshme për çdo dalje publike – të gjitha flasin për një makineri propagandistike të strukturuar deri në detaj.

Ai nuk duket si një individ që kërkon drejtësi, por si një njeri që kërkon të ruajë pushtetin simbolik dhe mbështetjen në opinionin publik, edhe kur ndodhet pas hekurave.

Postime të lidhura