zoom

Aktualitet

SPAK konfirmon 112 veprime hetimore në dy muaj kundër Erion Veliajt, GJKKO e lë në burg

SPAK konfirmon 112 veprime hetimore në dy muaj kundër Erion Veliajt, GJKKO e lë në burg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, i cili kishte kërkuar një masë më të lehtë. Në fuqi u la edhe masa “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt dhe GJKKO u njoh sot me informacionin e dy muaj hetimesh nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme konfirmoi se kishte kryer 112 veprime hetimore nga 10 shkurti, duke përfshirë kontrollin e celularëve të sekuestruar si dhe marrjen e dëshmive.

Avokatët e Veliajt kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë për Veliajn, por gjyqtari Erjon Bani, i cili është akuzuar vazhdimisht nga Veliaj dhe nga Edi Rama, ka refuzuar.

Erion Veliaj vijon të qëndrojë formalisht në detyrë, pasi kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do ta shkarkojë atë, por në bashkinë e Tiranës po shkarkohen të gjithë ata që janë konsideruar si të besuarit e tij. I fundit është Toni Beni, drejtori i Policisë Bashkiake, i cili ka qenë në kupolën drejtuese të kësaj strukture prej shumë vitesh. /Zoom.al

(Balkanweb)

Postime të lidhura