zoom

Lajme

Rama do ta mbajë Bashkinë e Tiranës edhe për dy vite pa kryetar: Nuk ka zgjedhje

Rama do ta mbajë Bashkinë e Tiranës edhe për dy vite pa kryetar: Nuk ka zgjedhje

Një takim i mbyllur i kryeministrit Edi Rama me deputetët e rinj të Partisë Socialiste në Tiranë, administratorët e njësive bashkiake dhe disa anëtarë të Këshillit Bashkiak ka ndezur sërish diskutimet për krizën e drejtimit në Bashkinë e kryeqytetit. Burime për Zoom.al bëjnë me dije se takimi që u mbajt në hotel “Tirana International” rreth orës 18:00 të pasdites së sotme, u zhvillua në një ambient të izoluar dhe jashtë vëmendjes mediatike.

Në takim nuk ka pasur asnjë sinjal për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme vendore në Tiranë, edhe pse Bashkia vijon të jetë pa kryetar legjitim pas arrestimit të Erion Veliajt dhe vendosjes së Anuela Ristanit si “kryetare e komanduar”, një status që nuk parashikohet nga ligji për vetëqeverisjen vendore.

Burime nga brenda mbledhjes pohojnë për Zoom.al se Edi Rama është shfaqur i shqetësuar për gjendjen në Bashkinë e Tiranës, e cila, sipas tij, është “shkrehur plotësisht” në mungesë të një drejtimi funksional. Sipas të njëjtave burime, Rama nuk ka diskutuar për zgjidhje zgjedhore apo politike, por ka kërkuar më shumë koordinim nga deputetët dhe administratorët për të mbajtur bashkinë në funksion edhe për dy vitet e ardhshme, pa kryetar.

Zgjatja një gjendje të tillë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës duket se i intereson vetëm shefit të qeverisë, pasi vendimmarrja për gjithçka ka mbetur në duar tij.

Ndërkohë, opozita vijon të jetë thuajse inekzistente në këtë debat, duke mos kërkuar zgjidhje për bashkinë kryesore në vend, edhe pse ajo ndodhet në një situatë juridike dhe administrative anormale.

Nëse ky plan i Ramës për të shtyrë pa zgjedhje për dy vitet e ardhshme do të funksionojë, Tirana do të mbetet pa një drejtues të zgjedhur e për pasojë pa përgjegjshësi politike dhe pa transparencë. /Zoom.al

Postime të lidhura