zoom

Aktualitet

Kërkoi heqjen e sekuestros, Apeli i GJKKO-së nuk i kthen Erion Veliajt celularin

Kërkoi heqjen e sekuestros, Apeli i GJKKO-së nuk i kthen Erion Veliajt celularin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për heqjen e sekuestros ndaj celularit të tij.

Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt, kishte kërkuar t’i kthehej celulari, por është rrëzuar nga togat e zeza që kanë lënë në fuqi vendimin e GJKKO.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 24.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 107, datë 18.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 132 akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për vleftësimin e sekuestros”, dhe vendosi:

  • Miratimin e vendimit nr. 132 Akti, datë 04.03.2025të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
  • Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në vendim.

Kryebashkiakut i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, doli ditën e djeshme në GJKKO, ku togat e zeza vendosën lënien në fuqi të masës së arrestit ndaj tij.

Prokuroria e Posaçme konfirmoi se kishte kryer 112 veprime hetimore nga 10 shkurti, duke përfshirë kontrollin e celularëve të sekuestruar si dhe marrjen e dëshmive.

Avokatët e Veliajt kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë për Veliajn, por gjyqtari Erjon Bani, i cili është akuzuar vazhdimisht nga Veliaj dhe nga Edi Rama, ka refuzuar.

Erion Veliaj vijon të qëndrojë formalisht në detyrë, pasi kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do ta shkarkojë atë, por në bashkinë e Tiranës po shkarkohen të gjithë ata që janë konsideruar si të besuarit e tij. I fundit është Toni Beni, drejtori i Policisë Bashkiake, i cili ka qenë në kupolën drejtuese të kësaj strukture prej shumë vitesh. /Zoom.al

Postime të lidhura