zoom

Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit për çështjen/ Flasin familjet që fituan pronën: Humbi jetën për një vendim të drejtë

Vrasja e gjyqtarit për çështjen/ Flasin familjet që fituan pronën: Humbi jetën për një vendim të drejtë

Familjet që prej më shumë se 15 vitesh kanë qenë në një betejë ligjore për pronat me Gjon Shkambin, janë tronditur nga lajmi për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili sipas tyre “dha drejtësinë që u takonte”.

Gjyqtari Kalaja u ekzekutua brenda sallës së gjyqit në Tiranë nga Elvis Shkambi, nipi i personit që kishte humbur çështjen e pronësisë.

Të përlotur, familjarët që përfituan nga vendimi i gjykatës thonë se gjyqtari u vra për drejtësinë dhe për të mbrojtur të vërtetën. Ata kërkojnë që autorët e ngjarjes, xhaxhai dhe nipi Shkambi, të dënohen me burgim të përjetshëm.

“Ishte seanca e fundit, gjyqi përfundoi në favorin tonë dhe vendimi ishte i drejtë për të gjithë. Na vjen shumë keq për gjyqtarin, se ai nuk vdiq për veten, por për të drejtën tonë. Ka qenë njeri i ndershëm dhe profesionist”, shprehet një prej banorëve të përfshirë në konflikt.

Një tjetër banore, Shuke Pepniku, tregon kalvarin shumëvjeçar të proceseve gjyqësore dhe vështirësitë që kanë kaluar.

“Kemi qenë 15 vjet nëpër gjyqe, edhe pse kishim dokumente të rregullta. Gjon Shkambi e kishte shitur shtëpinë vetë, por sërish na çonte në gjyq. Na vjen shumë keq për gjyqtarin, ai dha drejtësinë dhe humbi jetën për një vendim të drejtë. Duam që shteti t’i dënojë autorët pa mëshirë”, thotë ajo.

Banorët shprehen se autorët kishin kërcënuar disa herë me armë dhe kishin ushtruar presione për të marrë pronat me forcë, ndërsa institucionet kishin qëndruar pasive.

“E kemi denoncuar disa herë që Gjoni vinte i armatosur, por askush s’e ndaloi. Fajin e ka shteti që nuk ndërhyri më herët. Kjo tragjedi ndodhi për faj të mosveprimit”, shprehet një tjetër banor.

Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, pretendonte pronësinë për një tokë në Shkodër. Ai e kishte denoncuar më herët në media këtë çështje dhe pretendimet e tij. Sot, kur gjyqtari Astrit Kalaja vendosi kundër tyre, Elvis Shkambi e vrau atë në sallën e gjyqit./ Zoom.al

Postime të lidhura