zoom

Aktualitet

Zbardhet dëshmia në polici e vrasësit të gjyqtarit Astrit Kalaja: E qëllova sepse po humbja gjyqin

Zbardhet dëshmia në polici e vrasësit të gjyqtarit Astrit Kalaja: E qëllova sepse po humbja gjyqin

Është zbardhur dëshmia e autorit të krimit brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Raportohet se 30-vjeçari Elvis Shkambi ka thënë: “E qëllova, sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”.

Këtë dëshmi, i dyshuari e ka dhënë në Komisariatin Numër 1, në Tiranë.

Veç viktimës gjyqtarit Astrit Kalaja kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë që janë babë e bir, njëri prej tyre avokat.

Mësohet se Elvis Shkambi, qëlloi me armë pasi humbi gjyqin për pronën duke vrarë gjyqtarin dhe plagosur Ervis dhe Rakip Kurtaj, babë e bir, gjithashtu palë në procesin e sotëm.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.

Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen./ Zoom.al

Postime të lidhura