Aplikacion
Më shumë detaje janë mësuar për ngjarjen që tronditi vendin dhe sistemin gjyqësor këtë të hënë, vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për vetë faktin se autori Elvis Shkambi qëlloi në drejtim të gjyqtarit brenda në sallën e gjyqit, aty ku siguria mendohet të jetë maksimale.
Edhe pse nuk dihet ende se si, Elvis Shkambi ia kishte dalë të futej brenda në gjykatë me armë, duke bërë masakër më pas.
Pasi gjyqtari Astrit Kalaja është shprehur për një çështje prone ku Shkambi ishte palë, 30-vjeçari ka qëlluar në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur.
Sipas gazetares Glidona Daci, ai ka shtënë 4 herë, duke lënë të plagosur edhe dy persona të tjerë, që i përkisnin palës tjetër në proces.
“Në sallat e gjyqit në përgjithësi kur futesh brenda u nënshtrohet kontrolleve dhe procedurave të sigurisë, të cilat janë protokolle që zbatohen. Por sipas të dhënave, autori e ka mbushur armën brenda sallës së gjyqit, në momentin që gjyqtari Astrit Kalaja, gjyqtar monokratik, pra ka qenë i vetëm pa anëtarët e tjerë gjyqtarë, ka shpallur vendim dhe ka vendosur në favor të palës kundërshtare, i cili pretendonte për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës.
Xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi ka dalë në shumë emisione dhe prononcime për mediat, për çështjen e pronësisë, ku pretendonte se kishte të drejtë për një objekt që kishte ndërtuar në qytetin e Shkodrës dhe pretendonte se 31 familje po ia përfitonin në mënyrë të paligjshme. Në momentin që është bërë shpallja e vendimit nga gjyqtari Kalaja 30-vjeçari ka qëlluar katër herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Por, për shkak të tensionimit ai ka qëlluar edhe në drejtim të palëve të tjera në proces, ku kanë mbetur të plagosur babë e bir”, raportoi gazetarja në emisionin “Rudina”.
Policia e Tiranës ka shoqëruar të gjithë personat brenda në sallë, përfshirë palët në proces, punonjës të gjykatës dhe rojet e sigurisë.
Grupi hetimor do të verifikojë edhe nëse skaneri i vendosur për kontrolle brenda në gjykatë punonte apo jo, në momentin që është futur Elvis Shkambi./ Zoom.al