Aplikacion
Pas masakrës brenda Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm në Tiranë, të shumta ishin reagimet që dënuan ngjarjen e rëndë dhe kërkuan më shumë siguri për gjyqtarë, prokurorë dhe të tjerë që janë brenda sistemit të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në deklaratën e saj zyrtare, e cilëson ngjarjen “një akt të paprecedentë që godet në zemër sistemin e drejtësisë”.
SPAK kërkon që kjo tragjedi të shërbejë si thirrje urgjente për forcimin e masave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.
“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit në këtë moment të dhimbshëm.
Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, si edhe për një reagim të shpejtë institucional që të parandalohet përsëritja e akteve të ngjashme”, është deklarata e SPAK.Reagon Gjykata e Lartë
Një reagim të ngjashëm bëri edhe Gjykata e Lartë, e cila e cilësoi ngjarjen “sinjal alarmi për sigurinë e magjistratëve”.
“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.
Reagon ambasada e BE
Edhe zyra e Bashkimit Europian në Tiranë reagoi pas masakrës në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar që siguria e magjistratëve të konsiderohet prioritet kombëtar.
Në një deklaratë për media, BE theksoi se “asnjë përfaqësues i sistemit të drejtësisë nuk duhet të ndjehet i kërcënuar në ushtrimin e detyrës”.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë.
“Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja.
Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit.
Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në mbështetjen e konsolidimit të reformës në drejtësi dhe të forcimit të sundimit të ligjit në vend”, është reagimi i ambasadës së BE.