zoom

Aktualitet

“Rri larg nga AKSHI”, 11 faqet në dosjen e SPAK për nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili

“Rri larg nga AKSHI”, 11 faqet në dosjen e SPAK për nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili

Ka plot 11 faqe për rolin e nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erjon Ismaili në mega-aferën korruptive prej qindra miliona eurosh të AKSHI dhe rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe. 

Numri dy i policisë së Tiranës, sipas dosjes së SPAK, të siguruar nga Zoom.al, është përfshirë drejpërdrejtë në presionin ndaj operatorëve ekonomikë për të mos marrë pjesë në tënderat e AKSHI dhe për të mos i ankimuar ato. 

Sipas akteve hetimore, roli i Ismailit nuk përshkruhet si episodik, por si presion i drejtpërdrejtë ndaj Gerond Meçes përpara se ngjarjet të kulmonin me rrëmbimin e tij. Kjo del qartë nga deklarimet e vetë viktimës, të cituara në dosje:

“Gjithashtu, nga deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, jemi njoftuar mbi faktin se shtetasi Erjon Ismaili (me detyrë zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë), i ka kërkuar ‘të rrijë larg AKSHI’, fakt ky i cili përputhet gjithashtu dhe me rezultatin e pamjeve të këqyrura në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, pra se këta të fundit kanë lidhje shoqërore dhe interesa të përbashkëta”-thuhet në dosje

Ky citim artikulon qartë ndërhyrjen e një zyrtari të lartë të policisë në një proces prokurimi publik.

Hetimi shkon edhe më tej, duke e vendosur këtë presion në kuadër të një bashkëpunimi të strukturuar kriminal, ku Ismaili përmendet krahas personave të tjerë tashmë nën akuzë, si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri

“Shtetasit Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe Erjon Ismaili, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë planifikuar dhe organizuar rrëmbimin e shtetasit Gerond Meçe, me qëllim detyrimin e këtij të fundit për tërheqjen nga ankimit e bëra pranë Komisionit të Prokurimit Publik” –shkruhet në materialet hetimore të SPAK. 

Ky pasazh dëshmon për një ngjarje të mirëfilltë kriminale, pasi kërkesa “qëndro larg AKSHI” është njëparalajmërim me pasoja konkrete.

Dosja evidenton se kjo kërkesë nga ana e Ismailit nuk ka qenë e vetme, por është përsëritur dhe mbështetur nga prova të tjera, përfshirë pamje filmike dhe kontakte të shpeshta me Ergys Agasi, një nga figurat qendrore të hetimit:

“Gjithashtu, nga deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, bëhet e ditur se shtetasi Erjon Ismaili, (me detyrë zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë), i ka kërkuar ‘të rrijë larg AKSHI’, fakt ky i cili përputhet gjithashtu dhe me rezultatin e pamjeve filmike të sekuestruara në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, ku evidentohen shumë takime mes tij dhe shtetasit Erjon Ismaili” –nënvizohet në dosjen e SPAK. 

Një aspekt edhe më shqetësues lidhet me efektin frikësues që ky presion ka pasur mbi viktimën. Dosja shpjegon se ndërhyrja e një drejtuesi policor ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e Meçes për të mos denoncuar menjëherë kërcënimet.

“Lidhur me arsyen e mosbërjes së denoncimit në polici lidhet me faktin që nënkryetari i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, në janar–shkurt 2025 i kishte kërkuar të qëndronte sa më larg nga AKSHI”­thuhet në fashikull.

Në tërësi, roli i Erjon Ismailit, ashtu siç del nga aktet e SPAK, nuk kufizohet në njohje shoqërore apo kontakte të rastësishme. Ai përshkruhet si hallkë që i ka dhënë presionit ndaj operatorëve ekonomikë mbulesë shtetërore, duke e shndërruar Policinë nga garant i ligjit në instrument kriminal për të frikësuar biznesin. Ky është një precedent i rëndëqë tregon edhe njëherë kriminalizimin e strukturave drejtuesve të policisë së shtetit. /Zoom.al

Postime të lidhura