zoom

Aktualitet

Flet avokati i Agasit: Po përdoret politikisht, nuk ka përfituar asnjë tender

Flet avokati i Agasit: Po përdoret politikisht, nuk ka përfituar asnjë tender

Avokati Maks Haxhia ka deklaruar se klienti i tij, Ergys Agasi, për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër-arrest, po përdoret politikisht.

Në një dalje për mediat nga ambientet e SPAK, Haxhia u shpreh se Agasi nuk ka përfituar asnjëherë dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij, përfshirë edhe pretendimet për lidhje me AKSHI-n.

Sipas avokatit, Ergys Agasi merret me biznes privat dhe nuk ka ushtruar asnjë funksion shtetëror. Ai theksoi se klienti i tij nuk është arratisur, por ndodhet jashtë vendit për të lidhur një marrëveshje biznesi dhe, sipas tij, do të përballet me drejtësinë sapo të kthehet.

“Ky është një moment që po shfrytëzohet politikisht dhe po shihet Agasi si zv.kryeministër. Kontrollet në banesë dhe publikimi i tyre në media do të ndiqen në rrugë ligjore nga zoti Agasi. Ai nuk ka asnjë vepër penale dhe nuk mund të akuzohet për miqësi apo njohje. Nuk ka asnjë veprimtari në AKSHI dhe aktivitetet e tij nuk përputhen me ato të këtij institucioni. Zoti Agasi nuk ka përfituar asnjë tender apo fonde publike dhe nuk ka asnjë veprimtari të jashtëligjshme”, u shpreh Haxhia.

Në lidhje me filmimet e përmendura në dosje, avokati sqaroi se ato ishin vendosur si instrument sigurie, pas tentativave të mëparshme për vjedhje në ambientet e biznesit të Agasit, duke theksuar se ato nuk regjistrojnë zë, por vetëm lëvizje.

Haxhia shtoi gjithashtu se, sipas tij, nxjerrja në publik e detajeve të hetimit e komprometon SPAK-un, ndërsa theksoi se zhvillimet përkojnë me situatën aktuale politike në vend.

Zoom.al/

Postime të lidhura