Aplikacion
Mediat online kanë nxjerrë në dritë detaje tronditëse nga dosja hetimore e SPAK lidhur me pengmarrjen e Gerond Meçes, pronar i kompanisë Advanced Business Solutions, ngjarje e përfshirë në të ashtuquajturën dosje të “trinitetit” Agasi–Beqiri–Karçanaj.
Sipas akteve hetimore, Meçe është dhunuar dhe kërcënuar me armë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët e kanë detyruar të hipë në automjetin e tyre, duke i hequr lirinë në mënyrë të paligjshme. Prokuroria e Posaçme e cilëson ngjarjen si rrëmbim të mirëfilltë.
Pas marrjes peng, autorët i kanë marrë telefonin celular Meçes dhe e kanë përdorur për të komunikuar me administratorin e kompanisë, Shkëlqim Kërluku. Mesazhet dhe kërkesat janë dërguar duke u paraqitur sikur vinin drejtpërdrejt nga vetë Meçe, pa krijuar dyshime për ndërhyrje të jashtme.
SPAK evidenton gjithashtu përfshirjen e Erjon Ismailit, zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit, i cili, sipas dosjes, i ka kërkuar Meçes “të qëndrojë larg AKSHI-t”. Kjo kërkesë, sipas prokurorëve, përputhet me pamjet filmike të sekuestruara në ambientet e Ergys Agasit, ku shfaqen disa takime mes Agasit dhe Ismailit, duke ngritur dyshime për marrëdhënie të ngushta dhe interesa të përbashkëta.
Hetuesit e lidhin rrëmbimin edhe me raste të mëparshme, ku përmes ankimimeve pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë bllokuar procedura tenderimi të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në komunikimet e realizuara nga pengmarrësit, administratori i shoqërisë është vënë nën presion për të vepruar menjëherë dhe për të tërhequr të gjitha ankimimet e depozituara nga kompania në institucionet përgjegjëse për prokurimet publike. Si pasojë, ai ka kryer veprime konkrete në platformën shtetërore, duke u tërhequr nga ankimimet ekzistuese.
Hetimet janë në vijim për identifikimin e personave përgjegjës për rrëmbimin, dhunën dhe përdorimin e celularit të viktimës, si dhe për zbardhjen e plotë të rolit të secilit të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari